A do ta humb liqeni i Strugës statusin e UNESKO-s? Ekspertët: Keqmenaxhimi institucional rëndon situatën

TË FUNDIT

Çfarë masa duhet të ndërmerren që liqeni i Strugës ta ruaj statusin e UNESKO-s? Janë 7 rekomandime të cilat duhet të përmbushen:

1. Të vazhdohet me planet zbatuese për kthimin e lumit Sateska përsëri në lumin Drin i Zi sa më

shpejt të jetë e mundur, dhe të sigurohet restaurimi i plotë i Lumit Sateska.

2. Monitorimi dhe kontrolli i shkarkimit të ujërave të liqenit në lumin Drini i Zi  nga ndërmarrja

energjetike e Maqedonisë së Veriut ESM dhe sigurimi i zbatimit të praktikave më të mira në

menaxhimin ndërkufitar të ujit.

3.Të mbyllen të gjitha deponitë e parregullta si Bukovo, dhe vende të tjera të Strugës dhe rrethinës.

4.Të behet një studim gjithëpërfshirës krahasues të rrugëve alternative për hekurudhën e

Korridorit VIII, rrugët dhe hekurudhuat të cilat kalojnë nëpër Strugë.

5.Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar për monitorimin e biodiversitetit dhe cilësinë e ujit të liqenit dhe

vendosja e veprimeve të përbashkëta të menaxhimit të tilla si kuota e peshkimit e rënë dakord

bashkërisht.

6.Marrja e masave efektive për mbrojtjen e qendrës të qytetit të vjetër të Ohrit dhe Strugës.

7.Ndërtesat afër liqenit në Strugë, të kontrollohen nëse janë ndërtuar sipas kritereve.

Berat Sela ekspert i ekologjisë thotë se problemi qëndron tek menaxhimi i keq i institucioneve me këto resurse që i posedojmë. Ndërsa shton se  tre parametrat kryesorë për të ruajtur këtë status janë  se objekti i cili ndërtohet në afërsi të liqenit duhet të jetë minimum 50 metra larg nga bregu i liqenit, objekti që ndërtohet duhet të ketë dokument ose leje nga Ministria e Kulturës ose nga Zyra për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe e fundit objekti që ndërtohet nuk duhet të pengojë pamjen e objektit që ka pas, por në fakt në teren asnjë nga këto tre pikë thuajse nuk është respektuar në ndërtimet e deritanishme.

“Shumë me rëndësi është menaxhimi I tallave, në disa pjesë tallat janë shumuar mbi 200%, konkretisht e kemi në Liqenin e Strugës në pjesën e plazhit të femrave, ne nuk mund ti lëmë tallat ta uzurpojnë krejt plazhin e Strugës se aty normal jetojnë dhe fitojnë nga ajo, pastaj kemi pjesën e Podmolit apo pjesa që i përket Komunës së Debërcës, pastaj kemi pjesën e Ohrit, pastaj problem tjetër është menaxhimi i koncesioneve, objektet apo pjesët e liqenit që jepen me koncension duhet të menaxhohen në formë të drejtë apo të mirë, njerëzit që marrin koncesionet duhet tu përmbahen rregullave që janë të caktuara me ligj dhe e treta është ndërtimi i objekteve turistike dhe private, problem qëndron se sektori privat është shumë më i fortë ekonomikisht dhe kërkesat janë shumë më të mëdha se sa mundet shteti ti ndjek”, tha Berat Sela –ekspert i ekologjisë.

Ndërkaq Arian Merolli , ekspert i zonave të mbrojtura thotë se problemet që janë shfaqur janë komplekse dhe për këtë është mosfunksionimi real të strukturave bilaterale. Disa nga pikat menaxhim joadekuat të pronës janë: Kapacitete të pamjaftueshme njerëzore dhe financiare, urbanizimi i tepruar dhe i papërshtatshëm, turizmi masiv, cilësi e ulët e ndërtesave në zonat urbane dhe bregdetare, humbja e arkitekturës tradicionale dhe popullore, projekte të mëdha infrastrukturore, humbja dhe fragmentimi i habitateve, ndotja (e tokës, ujit, ajrit,),  eutrofikimi i ujërave, ndryshimet klimatike, peshkimi i tepërt dhe humbja e rezerves peshkore, zevendesimi i specieve autoktone me specie agresive aliene etj.

 “Për mua problemet që kanë dal janë komplekse, janë probleme për shkak të mosfunksionimit real të strukturave bilaterale, e dyta janë problem që kanë të bëjnë edhe me ngritjen e kapacitetit të shoqërisë civile, ngritjen e kapacitetit të strukturave lokale për të qenë ato koherentë mbi stadin mbi situatën dhe të din të njohin të gjitha detyrimet që kanë karshi këtij statusi që për mendimin tim por jo vetëm është një status që nuk i jep një gjë negative rajonit, përkundrazi I hap një perspektivë për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm”, deklaroi Arian Merolli -ekspert i zonave të mbrojtura.

Sela mendon se situate më e keqe për mos përmbushjen e rekomandimeve të UNESKO-s qëndron në Ohër, në bazë të analizave ai thotë se raporti qëndron diku 10 me 1.

 “Në raport më Ohrin edhe Strugën, unë do të kisha thënë se Ohri qëndron shumë më keq. Në bazë të analizave që kemi bërë ne si shoqatë raporti qëndron diku 10 me 1, nëse në Ohër janë ndërtuar 10 objekte në Strugë është ndërtua 1”, tha Berat Sela –ekspert i ekologjisë.

Janë të pakta pikat që janë zbatuar në një raport që ka siguruar TV21 thuhet se nga 19 vetëm 3 janë zbatuar plotësëishtë, ndërsa disa të tjera janë gjysmë të zbatuara ose fare.

Për të parë se çfarë ka ndërmarrë Komuna e Strugës në lidhje më përmbushjen e raportit të UNESKO-s në kërkuam qëndrim edhe nga Komuna e Strugës dhe kryetari i saj Ramiz Merko edhe pse disa herë insistuam me mesazhe dhe telefonata Merko nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet.