Salih Mekaj dhe Vlora Gorani mbeten në arrest shtëpiak

TË FUNDIT

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se në mbledhjen e vet të sotme ka vendosur që kryetari, tashmë i suspenduar, i Gjykatës së Apelit Salih Mekaj dhe e akuzuara tjetër në rastin e njëjtë, Vlora Gorani, të mbeten në arrest shtëpiak deri më daten 20 të këtij muaji.

Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se: “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, mbajti seancën me datën 04.08.2015, sipas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës në Prishtinë në rivendosje kundër të pandehurve Salih Mekaj dhe Vlora Gorani, dhe sipas Kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë me datë 04.08.2015 për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Salih Mekaj, ndërsa me datën 05.08.2015 mori vendim ku njofton se masa e dënimit mbetet e njëjtë – masa e arrestit shtëpiak.

Masa e arrestit shtëpiak të pandehurve Salih Mekaj dhe Vlora Gorani,u caktohet në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji e cila do t’iu llogaritet nga data 20.07.2015 deri më 20.08.2015.

Masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Salih Mekaj është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën pe nale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KP të RK-së dhe të Ushtrimit të ndikimit nga neni 431 par.1 të KP të RK-së , ndërsa ndaj të pandehurës Vlora Gorani për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënie e ryshfetit nga neni 429 par.3 të KP të RK-së”.

Mekaj në korrik u arrestua me dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe për veprën penale ushtrim ndikimi. Ai dyshohet se kishte negociuar për një shumë ryshfeti për lirimin e bashkëshortit të Vlora Goranit.