CIA preket nga një sulm kibernetik

TË FUNDIT

CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së (ODNI) janë përballur me një sulm të mundshëm kibernetik, që ka prekur informacione të paklasifikuara, kanë bërë të ditur për CNN katër burime të njohura me çështjen.

Ndërhyrja ka goditur një sistem që agjencitë e përdorin për analizën e inteligjencës nga burime të hapura, ka thënë njëri prej burimeve.

Shtrirja e plotë e sulmit nuk është ende e qartë, por zyrtarët theksuan se asnjë informacion i klasifikuar nuk është prekur.

“Nuk ka pasur ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve të klasifikuara”, ka thënë për CNN një zyrtar i ODNI-së.

Të dhënat e para sugjerojnë se sulmi mund të ketë origjinën nga Kina, megjithëse ende nuk është e qartë nëse është përfshirë qeveria kineze, kanë thënë dy burime.

Nuk dihet ende se kur ka ndodhur sulmi apo nëse është neutralizuar.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), e cila mbikëqyr 17 agjenci amerikane të inteligjencës, përfshirë CIA-n, vitet e fundit ka investuar në punën me inteligjencën nga burime të hapura, e cila shpesh përfshin informacione të paklasifikuara.

Ndërhyrja e dyshuar, për të cilën ka raportuar fillimisht gazeta The New York Times, është incidenti më i fundit në një seri sulmesh kibernetike dhe ndërprerjesh teknologjike që kanë shkaktuar shqetësim në qeverinë amerikane dhe sektorin privat.

Incidenti nuk duket të ketë lidhje me sulmin e dyshuar ndaj bazës kombëtare të të dhënave kriminale të FBI-së, kanë thënë dy nga burimet. Për këtë rast, CNN ka raportuar fillimisht të premten.