Gjykata Speciale e ka dënuar me 12 muaj burgim Bashkim Smakajn me vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Por trupi gjykues konstatoi se pasi është në paraburgim në një periudhë më të gjatë se koha e dënimit, ai u lirua sepse dënimi i tij, u konsiderua i shlyer.
Kështu tha gjyqtari në seancën e sotme.
“Për këto veprime penale ju dënoheni me dënim të njësuar prej 12 muajsh burgim. Meqënëse tashmë keni kaluar në paraburgim një periudhë më të gjatë se kjo në bazë të fletarrestimit, dënimi juaj konsiderohet i shlyer dhe ju do të liroheni në përfundim të kësaj seance”, tha ai.
Gjyqtari shpalli fajtor Smakajn për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindjen ndaj gjykatës.
“Bashkim Smakaj, unë ju shpall fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare me anë të vprimit të përbashkët. Sipas nenit 401, paragrafi 2 dhe 5, sipas pikës 12 të aktakuzës dhe fajtorë për mosbindjen ndaj gjykatës sipas nenit 393 dhe sipas pikës 13 të aktakuzës”, tha ai.
