Arrestohet në Athinë vëllai i ish-peshëngritësit të njohur me origjinë shqiptare, dyshohet se furnizonte sportistët me doping

TË FUNDIT

Vëllai i ish-peshëngritësit të njohur me origjinë shqiptare, Pirro Dhima, është arrestuar në Athinë, nën dyshimin për furnizim të sportistëve me substanca të ndaluara dopingu.

Odise Dhima, 58 vjeç, u arrestua pas kontrolleve në banesën e tij dhe në qendrën sportive që drejtonte në Atikë. Sipas policisë greke, ai dyshohet se prej prillit të vitit 2024 furnizonte sportistët me substanca të ndaluara për të rritur artificialisht rezultatet sportive.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan 871 tableta dhe ampula me substanca dopingu, 15 mijë euro para të gatshme, 17 kartela sportistësh, shënime dhe një telefon celular.

Hetimet kanë zbuluar edhe një rast të dyshuar të administrimit të një substance të ndaluar nga lista e WADA-s te një sportist i mitur.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet greke kundër dopingut. I arrestuari është dërguar në prokurori, ndërsa gjykata pritet të vendosë për masën e sigurisë.