Dibran Hoxha “Kobra” dhe Andi Pajaziti “Italiani” përleshen në Burgun e Sigurisë së Lartë

TË FUNDIT

Një incident fizik është regjistruar më 7 nëntor në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku janë përfshirë dy të dënuarit Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, dhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, dyshohet se Hoxhaj ka sulmuar fizikisht Pajazitin brenda hapësirave të burgut.

Rastin e ka konfirmuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), i cili ka bërë të ditur se të dy të dënuarit kanë marrë trajtim mjekësor nga stafi shëndetësor i institucionit.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës konfirmon se më 07.11.2026, në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka ndodhur një incident në mes të dy të dënuarve. Pas incidentit, të dy të dënuarit janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut, në përputhje me procedurat standarde që zbatohen në raste të tilla. Ndaj të dënuarve janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, është emër i njohur për opinionin publik lidhur me rastin e vrasjes së një shtetasi të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” në Prizren, në janar të vitit 2023.

Për këtë rast, Hoxhaj është dënuar me 24 vjet burgim. Ai ishte dënuar me 23 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si dhe me dy vjet të tjera për armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimi unik i shqiptuar ishte 24 vjet burgim.

Në anën tjetër, Andi Pajaziti, i njohur si “Italiani”, u bë i njohur për publikun pas konfliktit fizik në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, rreth tre vjet më parë. Përleshja kishte eskaluar më pas në përdorim të armëve mes dy grupeve.

Pajaziti ishte akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit, por Gjykata kishte konstatuar se ai kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe e kishte liruar nga akuza për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore.

Ai është dënuar me dy vjet burgim për mbajtje të paautorizuar të armës dhe aktualisht po e vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Ndërkohë, incidenti i fundit mes dy të dënuarve është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, ndërsa SHKK ka konfirmuar se ndaj tyre janë ndërmarrë edhe masa disiplinore.