Adriano mahnit sërish me topin edhe 10 vjet pas pensionimit (VIDEO)

TË FUNDIT

Ish-sulmuesi brazilian Adriano është rikthyer në qendër të vëmendjes pas një videoje që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale. Edhe pse kanë kaluar dhjetë vjet që kur i dha fund karrierës si futbollist profesionist, 44-vjeçari dëshmon se ende e ruan teknikën që dikur e bëri një prej sulmuesve më të frikshëm në futbollin botëror.

Në video, Adriano shfaqet në rrugët e Brazilit, i veshur me pantallona të shkurtra dhe shapka. Ai realizon 32 prekje të njëpasnjëshme me topin, pa e lënë të prekë tokën. Në një moment, e vendos topin mbi kokë dhe më pas e kalon mes këmbëve, duke mahnitur përdoruesit e rrjeteve sociale.

I njohur me nofkën “Perandori”, Adriano konsiderohej një nga talentet më të mëdha të futbollit brazilian. Ai u bë i njohur në Evropë me fanellën e Interit, ku luajti në periudhën 2001–2009, me një ndërprerje gjatë huazimit te Parma.

Me forcën fizike, shpejtësinë dhe goditjen e fuqishme me këmbën e majtë, braziliani u shndërrua në një makth për mbrojtësit kundërshtarë. Me Interin fitoi tituj të rëndësishëm. Edhe me përfaqësuesen e Brazilit pati momente të paharrueshme.

Por pas suksesit sportiv fshihej një histori shumë më e dhimbshme. Në vitin 2004, pak kohë pas triumfit në Copa América, Adriano humbi babanë e tij. Kjo ngjarje e goditi rëndë emocionalisht dhe, siç ka rrëfyer vetë në intervista, ndikoi në gjendjen e tij psikologjike dhe në marrëdhënien me futbollin.

Ai ka folur hapur për depresionin dhe problemet me alkoolin, duke treguar se pas humbjes së babait nuk arriti më ta përjetonte futbollin si më parë.

Më vonë, problemet fizike dhe lëndimet e penguan të rikthehej në nivelin e dikurshëm.

Pas disa rikthimeve dhe aventurave të shkurtra në klube të ndryshme, Adriano e përfundoi karrierën profesionale në vitin 2016, pas një periudhe te Miami United në Shtetet e Bashkuara./TV21