Safe City zgjerohet me kamera mobile në veturat policore! Radarë edhe në lëvizje, deri në shkurt sistemi në të gjithë vendin

TË FUNDIT

Sistemi “Qyteti i Sigurt” pritet të bëhet edhe më gjithëpërfshirës, tashmë edhe vetura e policisë që ju kalon pranë mund t’ju gjobisë! Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, paralajmëroi kamera mobile dhe pajisje në veturat policore, të cilat do të matin shpejtësinë dhe do të regjistrojnë kundërvajtjet edhe gjatë lëvizjes. Kamerat do të vendosen edhe në të ashtuquajturat pika të zeza, ku ndodhin më së shpeshti aksidente të rënda. Toshkovski njofton zgjerimin e sistemit në Strumicë, Shtip dhe Manastir, ndërkohë deri në shkurt, sistemi pritet të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, qëllimi është që shoferët të mos ndihen të sigurt se mund t’i shkelin rregullat vetëm pse nuk shohin kamera.

“Shoferët e mësuan ngadalë ku janë vendosur radarët dhe si detektohen kundërvajtjet, dhe kjo është e mirë, kur e dimë që matet shpejtësia me qëllim të mos ketë pasoja fatale. E keqja është që kur ta kalojmë atë hapësirën kritike në pikën ku e dimë që e tejkaluam radarin kamerën sërish shpejtojnë duke vozitur makinën në mënyrë jo adekuate dhe sërish i ekspozohemi rrezikut”, tha Toshkovski.

Sistemi Safe City filloi funksionimin provë më 1 dhjetor 2025. Gjatë asaj faze, kamerat regjistruan shkeljet dhe pronarët e automjeteve morën njoftime. Sanksionimi zyrtar filloi më 1 shkurt 2026. Duke iu drejtuar kritikave ndaj projektit, ministri kujtoi se gjatë 15 viteve të fundit, më shumë se 2,000 njerëz kanë vdekur në aksidente trafiku në Maqedoni. Ai tha se instalimi i kamerave nuk është fundi i aktiviteteve, por pjesë e një plani më të gjerë për të përmirësuar sigurinë në trafik.

“Do të blejmë edhe kamera të tjera, të cilat mund të jenë portative, përkatësisht të vendosen në disa pika kritike ku më së tepërmi kemi probleme me pasoja në njerëz, viktima nga aksidentet në trafik. Intesivisht punojmë në detektimin e pikave të zeza që i kemi në shtet, jo vetëm në qytete por edhe rrugët magjistrale, por edhe nëpër autostrada dhe kështu me radhë”, tha Toshkovski.

Sipas bilancit të fundit përmbledhës të policisë në periudhën nga 02.02 deri më 20.08.2026, sistemi regjistroi gjithsej 310,865 shkelje të trafikut. Nga këto, plot 301,835 lidheshin me drejtimin me një shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar. Në të njëjtën periudhë, u regjistruan 180,378 shkelje të kryera nga automjete me targa të huaja. Të dhënat tregojnë se tejkalimi i shpejtësisë është mbizotërues midis shkeljeve të regjistruara nga sistemi. Në maj, për shembull, u regjistruan 28,494 shkelje: 27,360 për shpejtësi tej normave të lejuara, 833 për drejtim mjeti me patentë të skaduar dhe 301 për kalim të semaforit të kuq. Në të njëjtin muaj, u lëshuan gjithashtu 781 ndalime drejtimi – 486 për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 295 për kalim të semaforit të kuq.