Arkin Jahiji merr zyrtarisht drejtimin e Bërvenicës! Çerdhja, rrugët dhe pastrimi i deponive në prioritet

TË FUNDIT

Arkin Jahiji zyrtarisht e mori detyrën si kryetar i Komunës së Bërvenicës.

Dokumentin zyrtar e pranoi në Komisionin Komunal Zgjedhor, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy fëmijët.

Pas ceremonisë u shtrua edhe një atmosferë modeste me tortë.

Më pas, Jahiji u drejtua për në objektin e komunës, ku u prit nga nënkryetari dhe u shpreh i gatshëm të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim.

Fokusi do të jetë te funksionalizimi i administratës, zgjidhja e menjëhershme e sfidave në terren dhe zbatimi i premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore për çdo vendbanim.

“Puna e parë do mbledh sektorët në komunë të Bërvenicës, për të parë nëse është diçka që nuk jemi njoftuar dhe nëse është e nevojshme që të reagojmë menjëherë; do thërras shefat e sektorëve dhe do marr informacionet e nevojshme për komunë. Atë që kemi paraparë në programin zgjedhor i qëndrojmë pas, për çdo vendbanim, dhe do jetë përkushtimi ynë për t’u dalë zot premtimeve që u kemi dhënë”, tha Arkin Jahiji

I pyetur se cilat do të jenë projektet konkrete gjatë 100 ditëve të tij të para në udhëheqjen e komunës, Jahiji veçoi tri çështje që prekin drejtpërdrejt mirëqenien dhe shëndetin e banorëve.

“100-ditëshi i parë mund të jetë çerdhja në Çellopek. Kemi premtuar përkushtim për nisjen e procedurave për rrugën Gurgurnicë, pastrimin e deponive të egra, sidomos ato të cilat rrezikojnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve pikësëpari. Flas për ato deponi të cilat, jo vetëm ato që janë gjysmë legale, por ato të cilat janë ashtu afër shtëpive dhe rrezikojnë shëndetin e fëmijëve”, deklaroi Jahiji.

Jahiji fitoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, pasi kryetari i ndërroi jetë. Lidhur me sfidën e mungesës së një shumice të sigurt në Këshillin Komunal, kreu i ri i Bërvenicës u tregua optimist, duke theksuar se këshilltarët janë të zgjedhur nga qytetarët dhe se interesi i përbashkët qytetar do të jetë mbi çdo ngërç politik, duke mos pritur pengesa në realizimin e projekteve.