Pagat e të punësuarve në Armatë dhe në sektorin e Mbrojtjes do të rriten për 10 për qind nga 1 janari i vitit 2027. Këtë e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, i cili tha se bëhet fjalë për rritjen më të madhe historike në vlerë absolute, që do të përfshijë pagën bazë dhe të gjithë komponentët e tjerë të pagës. Ai shtoi se buxheti është miratuar në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa për Mbrojtjen janë paraparë 2 miliardë denarë më shumë në vitin 2027.
“Nëse punojmë së bashku, mund të kemi rezultate të shkëlqyera. Mesatarisht, paga do të rritet nga 4 deri në 11 mijë denarë, që në vlerë absolute është rritja më e madhe historike deri më tani. Do të vazhdojmë me punën, do të vazhdojmë me shumë projekte dhe me dialogun social. Vitin e ardhshëm do të ketë shumë projekte shtesë në pjesën e obligimeve kapitale që kemi. Por, pas përfundimit të buxhetit në Kuvend, shpresoj se do të kemi edhe një konferencë tjetër për shtyp, ku mund t’ju tregojmë saktësisht se çfarë mbetet në buxhet”, tha Vllado Misajllovski.
Përveç kësaj, i pyetur për protestën e paralajmëruar më 7 nëntor para Qeverisë, Siniša Stançevski, nënkryetar i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes, deklaroi se nuk e mbështesin atë protestë, sepse ligjërisht ajo është e zgjidhur.
“Pra, atëherë ka pasur mundësi që të gjithë ata që kanë dalë nga Armata në moshën 32, 35 apo 38 vjeç, brenda një muaji të paraqesin kërkesë për t’u kthyer në Armatë. Kishte afat për këtë. Deri më tani, asnjë ushtar profesionist, absolutisht asnjë, nuk ka mbetur në rrugë. Le të gjejë një të vetëm dhe të gjithë ne do të japim dorëheqje. Le të gjejë një që nuk është trajtuar sipas këtij neni të ligjit. Të gjithë ushtarët profesionistë janë sistemuar në përputhje me ligjin e vitit 2016, kur ai është miratuar. Ndërsa, sipas strukturës aktuale organizative, të gjithë ushtarët profesionistë që dëshirojnë të mbeten si civilë në Armatë do të sistemohen”, tha Sinisha Stançevski.
Përndryshe, oficerë dhe nënoficerë, persona civilë që kanë qenë të punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në ARM, si dhe ish-ushtarë profesionistë të ARM-së, kanë paralajmëruar protestë më 7 nëntor para Qeverisë. Siç thonë, janë të pakënaqur me zgjidhjen e paralajmëruar ligjore për statusin e ushtarëve profesionistë, e cila u prezantua para disa ditësh. Kërkojnë që edhe ata të përfshihen në këtë zgjidhje, përkatësisht kërkojnë dëmshpërblime të dinjitetshme dhe të barabarta për të gjithë. Sipas tyre, bëhet fjalë për 613 veteranë të luftës.
