Parkinsoni dhe alzheimeri do të trajtohen edhe në Maqedoni, synimi është viti 2027

TË FUNDIT

Pacientët me parkinson dhe alzheimer nga Maqedonia aktualisht dërgohen për trajtim në Turqi, por nga viti 2027 synohet që metoda e stimulimit të thellë të trurit të aplikohet edhe në vend. Ministri i shëndetësisë Sasho Klekovski, thotë se Klinika e Neurologjisë në vendin është e gatshme teknikisht për këtë lloj të intervenimit pasi që aparatura është e qasshme.

Drejtori i Klinikës Universitare të Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, tha se duhet të krijohen ekipe që metodën e re për trajtim ta fillojnë në vendin tonë, ai theksoi që në vitin 2027 do të fillojnë me pacientin e parë.

Gabriela Novotni, mjeke e specializuar në neurologji, theksoi se ka trajtime që përmirësojnë cilësinë e jetës së personave me demencë ose sëmundjen e Parkinsonit. Ajo tha se stimulimi i thellë i trurit nuk është një metodë e re, por është dëshmuar jashtëzakonisht e suksesshme gjatë 30 viteve të fundit, por në Maqedoni ende nuk aplikohet.

Sëmundjet e Parkinsonit dhe Alzheimerit janë çrregullime neurodegjenerative progresive që prekin trurin, duke ndikuar në kontrollin e lëvizjeve, kujtesën dhe aftësitë njohëse të personit.