Gjithsej nëntë persona janë përfshirë në procedurën që lidhet me operacionet e syve, pas aksionit të zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Të gjithë të dyshuarve u janë caktuar masa në përputhje me propozimet e Prokurorisë Themelore, përkatësisht konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit dhe paraqitja e detyrueshme në gjykatë. Këtë e bëri të ditur Gjykata Penale, pas aksionit të mbrëmshëm dhe shqyrtimit të propozimeve të dorëzuara nga Prokuroria.
Ndryshe, në aksionin policor janë arrestuar disa persona, ndër ta ish-drejtorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe persona zyrtarë nga spitali privat “Sante Plus”. Gjatë kontrolleve në dhjetë lokacione në tri qytete janë sekuestruar edhe dëshmi materiale, ndër të cilat 50 mijë euro para të gatshme dhe telefona celularë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se është shkatërruar një grup i organizuar kriminal, anëtarët e të cilit, sipas dyshimeve, u kanë marrë pacientëve pagesa private për operacionet e syve, edhe pse shërbimet mbuloheshin nga Fondi.
