Katër persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë lënduar nga rrëzimi i një helikopteri italian pranë Brçkos, në verilindje të Bosnjë dhe Hercegovinës, pranë kufirit me Kroacinë dhe Serbinë, njoftoi EUFOR-i.
Sipas njoftimit, në mesin e viktimave janë dy pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Italisë dhe dy pjesëtarë të Kryqit të Kuq Ushtarak Italian.
Nga 11 të lënduarit, dy janë transferuar në një institucion shëndetësor në Tuzëll për trajtim të mëtejshëm, ndërsa nëntë të tjerë po marrin trajtim në Brçko. Të gjithë ndodhen në gjendje stabile.
EUFOR-i konfirmoi se helikopteri italian i tipit CH-47 “Chinook” u rrëzua mbrëmjen e kaluar gjatë një trajnimi të rregullt.
Sipas njoftimit, nga aksidenti nuk është shkaktuar dëme në infrastrukturën civile, prona apo automjete dhe asnjë civil nuk është lënduar.
EUFOR-i u bëri thirrje qytetarëve të mos përhapin dezinformata dhe të shmangin spekulimet lidhur me aksidentin, duke kërkuar që informacionet të ndiqen vetëm përmes kanaleve zyrtare.

