“Ky kantier ndërtimi është kthyer në një strehë për narkomanët, ndërsa fatkeqësia më e madhe është se e gjithë kjo ndodh brenda oborrit të shkollës fillore „Kirili dhe Metodi“, aty ku po ndërtohet pishina e kësaj shkolle”, raporton gazetari i TV21, Senat Zylbehari.
Prania e lëndëve narkotike dhe mungesa e kushteve elementare të sigurisë në këtë shkollë kanë alarmuar prindërit. Megjithëse informacioni se kioskat dhe objektet ndërtimore shfrytëzohen për dukuri negative erdhi përmes mediave, drejtoresha e shkollës, Sihana Kaba Kasami, pretendon se rasti është denoncuar menjëherë në polici.
Por nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë jepet një tjetër version rreth denoncimeve zyrtare.
Përtej kësaj, rreziku shtohet nga vetë infrastruktura e shkollës. Gropa e pishinës gjendet vetëm pak metra larg hapësirave ku lëvizin nxënësit, pa asnjë mbrojtje fizike, ndërkohë që vetë drejtoresha pranon se fokusi ka qenë vetëm te siguria e pishinës.
Lidhur me praninë e policisë në shkollë, drejtoresha thotë se angazhohen dy zyrtarë policorë, ndërsa nga policia sqarojnë se nuk bëhet fjalë për policë enkas vetëm për këtë shkollë, por për patrulla që mbulojnë objektet shkollore në rajon.
Statistikat e Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale flasin për trajtimin e pesë nxënësve të shkollave fillore të Tetovës si konsumues të lëndëve narkotike gjatë dy viteve të fundit – shifër kjo që tregon se rreziku është real.
