Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi ka hapur lëndë lidhur me kallëzimet penale ndaj ministrit të Jashtëm, Marko Gjuriq, dhe disa ambasadorëve serbë.
Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra penale që lidhen me të drejtat zgjedhore, shkruan nova.rs
Në mesin e diplomatëve ndaj të cilëve janë paraqitur kallëzime janë ambasadori i Serbisë në SHBA, Dragan Shutanovac, dhe ambasadori në Sllovaki, Aleksandar Nakiq.
Kallëzimet e tjera përfshijnë ambasadorët serbë në Francë, Rumani, Zvicër, Bullgari, Mal të Zi, Australi, Kanada dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas Prokurorisë, diplomatët dyshohen gjithashtu për pengim të zhvillimit të procesit të votimit.
Kallëzime penale janë paraqitur edhe ndaj shefit të Departamentit të Sigurisë në Ministrinë e Jashtme, Vesko Radoviq, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Dushan Kozarev.
Gjuriq dhe Radoviq dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të së drejtës së votës, ndërsa Kozarev për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokurori përgjegjës i ka kërkuar Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar që të mbledhë informacionet e nevojshme dhe të kryejë verifikimet përkatëse.
Kërkesa për informacione u janë dërguar edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komisionit Republikan të Zgjedhjeve.
Sipas njoftimit, qëllimi është mbledhja e provave dhe vazhdimi i procedurave paraprake hetimore lidhur me kallëzimet e paraqitura.
