Koalicioni VLEN ka dorëzuar propozimligjin për kalimin nga angazhimi me kontrata në punësim të përhershëm për të angazhuarit që plotësojnë kushtet në institucionet publike të përcaktuara në propozim.
Sipas njoftimit të VLEN-it, nisma synon të zgjidhë pasigurinë shumëvjeçare të punonjësve që prej vitesh punojnë me kontrata të përkohshme.
“Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it ka nënshkruar dhe dorëzuar, si bashkëpropozues, propozimligjin për kalimin nga angazhimi me kontrata në punësim të përhershëm”, thuhet në kumtesë.
Sipas VLEN-it, kalimi në punësim të përhershëm parashikohet të realizohet në faza, sipas afateve të përcaktuara në propozimligj, duke përfshirë edhe masa për mbrojtjen e të angazhuarve dhe kontrollin e mjeteve financiare. Koalicioni ka bërë të ditur se deputetët e tij do të angazhohen për miratimin e nismës.
“Vendi i punës dhe buka e familjes nuk guxojnë të përdoren për shantazh apo për t’i mbajtur punonjësit nën varësi politike”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
