Tusk: Trump është fajtor për çmimet e larta të karburanteve, ka ardhur koha ta themi hapur

TË FUNDIT

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, gjatë debatit të sotëm në Dhomën e Ulët të Parlamentit polak, akuzoi drejtpërdrejt presidentin amerikan, Donald Trump, për rritjen globale të çmimeve të karburanteve, përcjell TV21.

“Çmimet e karburanteve në vendin tonë janë më të ulëtat në Bashkimin Evropian, madje aktualisht më të ulëtat, pavarësisht faktit të qartë se për njerëzit janë jashtëzakonisht të shtrenjta. Jam i vetëdijshëm për këtë. Mendoj se më në fund ka ardhur koha ta themi hapur. Po, Donald është fajtor për këtë, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Por heroi juaj, jo kryeministri i Polonisë. Ju e dini shumë mirë se kush është përgjegjës për çmimet e karburanteve”, tha Tusk, duke iu drejtuar opozitës së ekstremit të djathtë, e cila prej vitesh e mbështet Trumpin.

Deklarata e tij e drejtpërdrejtë vjen në një kohë kur ekonomia globale po përballet me një goditje të re energjetike, të shkaktuar nga lufta e SHBA-së me Iranin. Operacionet ushtarake amerikane në Ngushticën e Hormuzit, rruga detare strategjikisht më e rëndësishme në botë, përmes së cilës kalon një e pesta e konsumit global të naftës, kanë shkaktuar bllokim të lundrimit të cisternave, rritje drastike të kostove të transportit detar dhe ndërprerje të mëdha në furnizimin e rregullt me naftë bruto.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në prag të zgjedhjeve për Kongresin, po përpiqet t’ia hedhë fajin për shtrenjtimin e karburanteve Ukrainës dhe sulmeve të saj ndaj objekteve ruse të naftës. Këtë e përdor si argument për të justifikuar vendimin e tij kontrovers për “ngrirjen” e sanksioneve ndaj importit të naftës dizel nga Rusia.