Mitsubishi Lancer Evolution VII, makina legjendare me ngjyrë të gjelbër që aktori i ndjerë Paul Walker drejtonte në filmin “2 Fast 2 Furious” të vitit 2003, raportohet se është gjetur pas gati 23 vitesh në një garazh në Nju Jork.
Automobili, i cili u bë një nga simbolet më të njohura të serisë së filmave “Fast and Furious”, për vite me radhë qëndroi larg syrit të publikut, ndërsa fati i tij ishte i panjohur për shumë adhurues.
Zbulimin e ka bërë të ditur koleksionisti Gabriel Tremblay, i cili qëndron pas projektit “The Furious Garage”, të dedikuar për gjetjen dhe ruajtjen e automjeteve të përdorura në këtë seri filmash.
Sipas tij, bëhet fjalë për automjetin origjinal “Hero 1”, një nga makinat kryesore të përdorura gjatë xhirimeve të filmit, ku Paul Walker luante personazhin Brian O’Conner.
Mitsubishi Evolution VII është i njohur për ngjyrën e gjelbër, grafikat blu dhe spoilerin e madh të pasmë, elemente që e kthyen në një ikonë të automobilizmit pas premierës së filmit.
Pas zbulimit, kanë nisur punimet për restaurimin e automjetit, me synimin që t’i rikthehet pamja origjinale nga filmi. Planifikohet që makina të prezantohet sërish para publikut në manifestimin automobilistik FuelFest, në Tampa të Floridës.
Lajmi ka ngjallur interes të madh te adhuruesit e automobilave dhe të aktorit Paul Walker, i cili humbi jetën në një aksident trafiku në nëntor të vitit 2013, në moshën 40-vjeçare.


