Nga mesnata, çmimet me pakicë të benzinave Eurosuper BS-95 dhe Eurosuper BS-98 ulen për 2,5 denarë për litër. Ndërkaq, çmimi i dizelit rritet për 2 denarë dhe do të jetë 99 denarë për litër. Për 2 denarë shtrenjtohet edhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri, çmimi i të cilit do të arrijë në 110,5 denarë për litër.
Me vendimin e Komisionit Rregullator, rritja mesatare e çmimeve të derivateve të naftës është 0,49 për qind, krahasuar me vendimin e mëparshëm të 13 tetorit.
Sipas çmimeve të përcaktuara, Eurosuper BS-95 do të shitet për 96 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 për 98 denarë. Dizeli do të shtrenjtohet në 99 denarë për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të kushtojë 110,5 denarë për litër.
Shtrenjtim ka edhe te mazuti, çmimi i të cilit rritet për 1,837 denarë për kilogram dhe do të jetë 53,579 denarë.
Nga 20.10.2026, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Eurosuper BS-95 – 96 denarë për litër.
Eurosuper BS-98 – 98 denarë për litër.
Eurodizel BS – 99 denarë për litër.
Vaj ekstra i lehtë për amvisëri – 110,50 denarë për litër.
Mazut M-1 – 53,579 denarë për kilogram.
Kryeministri Mickoski deklaroi se po vazhdojnë negociatat me OKTA-n për të siguruar zbritje shtesë të çmimit të dizelit, me qëllim uljen e tij.
“Negociatat me furnizuesin OKTA po vazhdojnë për të siguruar një zbritje shtesë. Mendoj se jemi afër arritjes së një zgjidhjeje për uljen e çmimit të dizelit me të paktën 2 denarë për litër”, tha Mickoski.
Mickoski tha se situata në botë është e ndërlikuar, por se Maqedonia po përballet me të me sukses.
“Deri në fund të vitit i kemi siguruar plotësisht sasitë e nevojshme të të gjitha llojeve të karburanteve. Edhe vitin e ardhshëm nuk pres që të ketë luhatje të mëdha, ndonëse sfida sigurisht që do të ketë. Produktpërçuesi, përkatësisht naftësjellësi që lidh portin e Selanikut me rafinerinë tonë, është nën presion dhe është i mbushur, kështu që do të ketë sasi të mjaftueshme të karburanteve për qytetarët e Maqedonisë. Jo vetëm për ta, pasi çmimet e karburanteve te ne janë më të ulëtat dhe qytetarët e vendeve fqinje vijnë e furnizohen këtu”, shtoi kryeministri.
Mickoski hodhi poshtë spekulimet se deri në fund të vitit do të ketë harmonizim të çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.
