Protestat studentore në Tiranë vijojnë edhe në ditën e dytë, me bojkot të mësimit në disa universitete dhe gjimnaze, ndërsa studentët kanë paralajmëruar vazhdimin e presionit ndaj qeverisë shqiptare. Studentë të Mjekësisë, Ekonomikut, Juridikut dhe Universitetit Politeknik kanë braktisur auditorët dhe kanë shkuar drejt Ministrisë së Arsimit.
Bojkotit i janë bashkuar edhe gjimnazistë në Tiranë, ndërsa studentë në Elbasan kanë ndërprerë mësimin në shenjë solidariteti. Protestuesit kërkojnë përmirësimin e kushteve në universitete, laboratorë funksionalë dhe përgjegjësi politike, ndërsa një pjesë e tyre kërkon edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta vjen pas përplasjeve të së martës, kur demonstrata para Ministrisë së Arsimit zgjati disa orë dhe degjeneroi në përleshje me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe arrestime.
