Qeveria publikoi shportën mesatare të konsumit. Ajo është rreth 11 mijë denarë më e ulët se shporta minimale, të cilën e llogarit Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Llogaritjet e Qeverisë tregojnë se një familjeje prej katër anëtarësh, në gusht, i nevojiteshin mesatarisht 58.475 denarë për ta përballuar muajin, ndryshe nga shporta minimale sindikaliste, e cila arrin në 68.676 denarë. Dallimi, sipas ministrit të Ekonomisë, është rreth 19,5 për qind, ndërsa Besar Durmishi pretendon se ai vjen si pasojë e metodologjive të ndryshme.
“Sipas llogaritjeve të Ministrisë, shporta mesatare e konsumit në gusht të vitit 2026 arrin në 58.475 denarë. Në krahasim me korrikun, rritja është vetëm 29 denarë. Veçanërisht e rëndësishme është se shpenzimet për ushqim dhe pije në gusht janë ulur për 255 denarë, në krahasim me muajin paraprak. Në krahasim me janarin e këtij viti, kur shporta arrinte në 56.381 denarë, në gusht është më e lartë për 2.095 denarë, përkatësisht për 3,7 për qind”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe i Punës.
Ministri theksoi se në shportën qeveritare nuk përfshihen shpenzimet për qira ose këst për banesë, e as shpenzimet për alkool dhe cigare. Dallime ekzistojnë edhe te shpenzimet për ushqim dhe pije, të cilat, sipas llogaritjeve të Ministrisë, për gushtin arrijnë në 21.132 denarë, ndërsa në shportën sindikaliste janë 25.032 denarë. Ai tha se shporta do të shqyrtohet më 19 tetor në Këshillin Ekonomiko-Social.
“Shporta sindikaliste bazohet në vlerësimin e shpenzimeve të dëshiruara për jetesë, prandaj në të kanë përfshirë edhe alkoolin dhe cigaret, si dhe shpenzimet për qira, megjithëse, sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2021, 95 për qind e qytetarëve jetojnë në shtëpinë e tyre, ndërsa llogaritja jonë bazohet në të dhënat zyrtare për konsumin mesatar real të realizuar”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe i Punës.
Nga Lidhja e Sindikatave thonë se, në vend që vlera e shportës minimale sindikaliste të ulet për 19,5 për qind, është e nevojshme që pagat të rriten për 19,5 për qind, nëse, siç thonë ata, do të kishte vullnet për t’i ndihmuar punëtorët. Ata theksojnë se vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti, shpenzimet e qytetarëve janë rritur për rreth 3.000 denarë, ndërsa nga shtatori i vitit 2024 deri në shtator të këtij viti, për më shumë se 8.000 denarë.
“Nëse një familje mund të jetojë mesatarisht me shportën qeveritare, kjo është një çështje për secilën familje, por edhe kjo shportë qeveritare, nëse ka për qëllim krijimin e politikave, tregon se pagat duhet të rriten për të paktën 6.000 denarë, sepse me dy paga minimale, për të mbuluar shpenzimet e njëjta mungojnë 6.383 denarë, gjë që i konfirmon kërkesat e punëtorëve dhe të LSM-së për rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave të tjera”, theksoi Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së/
Durmishi shpjegoi gjithashtu se shporta mesatare e konsumit e Qeverisë përfshin 11 kategori shpenzimesh, ndërsa gjatë llogaritjes janë përdorur të dhëna nga Enti Shtetëror i Statistikave, çmimet e produkteve në tetë qytete, të dhëna nga 23 tregje për fruta dhe perime, si dhe çmimet e produkteve ushqimore më të shitura në pesë zinxhirët më të mëdhenj tregtarë dhe në tre zinxhirë tregtarë rajonalë.
