Si po e luftojnë qytetet evropiane krizën e banesave? Modelet nga Vjena në Paris

TË FUNDIT

Në pjesën më të madhe të metropoleve evropiane, aksesi në strehim të përballueshëm është shndërruar në një nga sfidat më mprehëse sociale dhe politike. Mungesa e sipërfaqeve banuese me kosto të përballueshme, e shoqëruar me rritjen agresive të çmimeve të qirave në tregun privat, ka nxitur autoritetet vendore të zbatojnë modele eksperimentale dhe reforma strukturore për të stabilizuar tregun.

Rëndësia e kësaj teme u rikthye sërish në vëmendje pas zgjedhjeve të fundit lokale në Berlin, ku e Majta doli forcë e parë me premtimin për të jetësuar referendumit për shpronësimin e korporatave të mëdha imobiliare që zotërojnë mbi 3,000 njësi banimi.

Ndërkohë që kostoja e qirave të reja në kryeqytetin gjerman është rritur me rreth 50% gjatë pesë viteve të fundit, DW ka analizuar disa nga praktikat kryesuese që aplikohen në qytete të tjera evropiane.

Vjena, pronësia publike si mburojë

Modeli i zbatuar në Vjenë përfaqëson një nga shembujt më të suksesshëm dhe afatgjatë të ndërhyrjes shtetërore, me origjinë që nga periudha e pas Luftës së Parë Botërore. Sot, bashkia e Vjenës zotëron drejtpërdrejt rreth 220,000 apartamente publike dhe administron edhe 200,000 banesa të tjera të subvencionuara.

Përmes këtij mekanizmi, mbi 60% e popullsisë së kryeqytetit austriak jeton në struktura me qira të kontrolluar publike, çka shërben si një faktor kyç stabilizues edhe për çmimet e tregut privat banues.

Bazeli, ndarja e pronësisë së tokës nga ndërtesa

Për të mbrojtur zhvillimin e banesave nga luhatjet e çmimit të tokës, qyteti zviceran i Bazelit ka aplikuar modelin e dhënies së tokës publike me qira afatgjatë për kooperativat apo investitorët shoqërorë, pa e shitur atë. Kjo strategji u mundëson zhvilluesve të shmangin kostot e larta të blerjes së tokës — të cilat rëndojnë mbi qiramarrësit — ndërsa rreth 40% e njësive të banimit bashkëpunues në Bazel ndodhen mbi tokë publike. Modeli po aplikohet me ritme të shpejta edhe në Barcelonë e Lisbonë.

Parisi, shndërrimi i ndërtesave të zyrave në banesa

Në kryeqytetin francez, ku toka është kryesisht në duar private, bashkia aplikon që nga viti 2014 “të drejtën e parë të refuzimit” për blerjen e pronave për t’i kthyer ato në banesa sociale, me objektivin për të kapur pragun prej 30% të banesave për shtresat me të ardhura të ulëta deri në vitin 2035. Së fundmi, autoritetet rajonale identifikuan 61 projekte për shndërrimin e ndërtesave të zbrazëta të zyrave në periferi në më shumë se 8,200 banesa sociale.

Praga dhe Dublini, mbështetje për sektorin publik dhe klasën e mesme

Praga

Për të mbrojtur punonjësit thelbësorë (mësues, policë, infermierë), kryeqyteti çek ka përfunduar 660 apartamente me efikasitet energjetik, të financuara nga kredi evropiane. Qiratë vendosen 20% nën çmimin e tregut, ndërsa përzgjedhja e qiramarrësve bëhet nga vetë institucionet publike.

Dublini

Pasi hyrja e korporatave teknologjike dhe investitorëve të huaj rriti skajshmërisht qiratë, Irlanda prezantoi në vitin 2021 skemën “Cost Rental”. Programi synon familjet e klasës së mesme me të ardhura neto nën 66,000 euro në vit, duke u ofruar banesa me qira mesatarisht 30% më të ulëta se tregu privat përmes organizatave jofitimprurëse.

Këto iniciativa tregojnë se zgjidhja e krizës së strehimit po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga mekanizmat e lirë të tregut drejt ndërhyrjeve direkte publike, zbatimit të politikave të pronësisë mbi tokën dhe rikonvertimit të infrastrukturës ekzistuese.