Aksioni “Filter 2” – arrestohen doganierë dhe policë! Bie në pranga grupi i organizuar kriminal për kontrabandë të cigareve

TË FUNDIT

Është shkatërruar një grup i organizuar për kontrabandë të cigareve. Kanë kontrabanduar mbi 69.3 milionë copë cigare dhe nuk kanë paguar mbi 6 milionë euro detyrime ndaj shtetit. Në një aksion të koordinuar policor-doganor me emrin e koduar “Filter 2”, në shtatë raste të zbuluara, janë përfshirë kompani të shpedicionit, transportit dhe importit, persona fizikë, por edhe zyrtarë policorë dhe doganorë. Në aksion janë arrestuar 13 persona, mes tyre katër zyrtarë doganorë dhe dy zyrtarë policorë, ndërsa kallëzime penale janë ngritur ndaj tri personave juridikë dhe 18 personave fizikë. Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se hetimi vazhdon dhe se pritet që numri i personave të përfshirë të rritet.

“Sasia e cigareve në të gjitha shtatë rastet e zbuluara është gjithsej 69 milionë e 350 mijë copë cigare, të cilat janë lëshuar ilegalisht në qarkullim të lirë në shtet. Për të gjitha këto raste, bazuar në informacionet e mbledhura dhe provat e konstatuara, dhe në koordinim me prokurorin publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Drejtoria e Doganave më 23.09.2026 ka paraqitur kallëzime penale kundër 3 personave juridikë dhe 18 personave fizikë, prej të cilëve 3 zyrtarë policorë, 4 zyrtarë doganorë, një kompani shpedicionit, një kompani transporti dhe një kompani importuese”, u shpreh Boban Nikollovski – drejtor i Drejtorisë së Doganave.

Bëhet fjalë për një hetim të zhvilluar nga Sektori për Kontroll dhe Hetime pranë Drejtorisë së Doganave, në koordinim me Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe me Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë MPB-së. Hetimi ka zgjatur një vit, ndërsa kontrabanda ka ndodhur në gjysmën e parë të vitit 2024. Këtë mëngjes janë kryer bastisje në 23 lokacione në vend.


“Nga urdhrat e lëshuar për bastisje nga prokurori publik kompetent, deri në këtë moment janë arrestuar 13 persona, prej të cilëve 4 zyrtarë doganorë, 2 zyrtarë policorë, 2 shoferë dhe 5 persona të tjerë fizikë. Tre persona nuk kanë qenë të disponueshëm në momentin e bastisjes dhe për ta, për momentin, si informacionin e fundit kemi se nuk ndodhen në shtet, megjithatë informacioni i fundit, i freskët, para disa minutash, është se janë kontaktuar dhe të njëjtit do të paraqiten në mënyrë përkatëse vetë, në rastin e parë kur të kthehen në shtet”, theksoi Boban Nikollovski – drejtor i Drejtorisë së Doganave.

Kallëzimet kanë të bëjnë me disa vepra penale, ndër të cilat kontrabandë, mashtrim doganor, punë të pandërgjegjshme në shërbim, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve, mashtrim kompjuterik dhe shmangie të pagesës së akcizës. Nga Drejtoria e Doganave presin që numri i personave të përfshirë në hetim dhe numri i kallëzimeve penale të rritet më tej.