SHBA-ja vendos inteligjencën artificiale për menaxhimin e trafikut ajror në tre aeroporte

TË FUNDIT

Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) nga sot fillon të përdorë një sistem me inteligjencë artificiale për menaxhimin e trafikut ajror në tre aeroporte kyçe në zonën e gjerë të Uashingtonit.

Sistemi do të vendoset në aeroportet „Ronald Reagan Washington National“, „Washington Dulles International“ dhe „Baltimore/Washington International Thurgood Marshall“.

Sistemi i ri, i quajtur SMART, bazohet në teknologjinë „cloud“ dhe do të shërbejë si mbështetje për sistemet ekzistuese. Nga FAA theksojnë se qëllimi i tij nuk është zëvendësimi i kontrollorëve të trafikut ajror dhe as zgjidhja e problemit të mungesës së stafit.

Në janar të vitit 2025, në aeroportin „Ronald Reagan“ ndodhi aksidenti më i rëndë ajror në SHBA në dekadat e fundit, kur një helikopter ushtarak u përplas me një avion pasagjerësh. Të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazheve të të dyja mjeteve fluturuese humbën jetën.

Kontrollorët e trafikut ajror kishin paralajmëruar edhe para aksidentit për intensitetin e lartë të trafikut. Në qershor, FAA i dha kompanisë nga Uashingtoni „Air Space Intelligence“ autorizim për të zhvilluar një sistem për menaxhimin e trafikut duke përdorur teknologji të inteligjencës artificiale.

Teknologjia synon të reduktojë vonesat e fluturimeve, të përmirësojë rrjedhën e trafikut dhe të rrisë kapacitetin e hapësirës ajrore.

„Pasi ta vendosim këtë sistem, në thelb do të ndryshojmë mënyrën e menaxhimit të hapësirës ajrore dhe do të eliminojmë mijëra vonesa dhe anulime fluturimesh“, deklaroi atëherë sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy.