Arrestimi i shtetasit të Kosovës nga Serbia, MPJD: Lirojeni, dënojmë keqtrajtimin e qytetarëve tanë

TË FUNDIT

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës ka dënuar arrestimin e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe duke e cilësuar si arbitrar ndërsa i kanë kërkuar ndërkombëtarëve të ndihmojnë në lirimin e tij të menjëhershëm.

Në një njoftim për mediat, MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi bëri të ditur arrestimin Tefik Mustafës nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdarë, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Ministria e Kosovës tha se e dënon “ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa”.

Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë apel bashkësisë ndërkombëtare të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb “për këto veprime arbitrare dhe destruktive, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”. MPJD-ja shtoi se do të kërkojë zyrtarisht nga autoritetet serbe që ta lejojnë përfaqësuesin e zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ta vizitojë Mustafën, “nё mёnyrё që shteti dhe Qeveria e Kosovës tё njoftohen më konkretisht për trajtimin që po i bëhet Mustafës nga organet serbe”.

Për arrestimin e Mustafës, MPJD-ja tha se ka njoftuar vendet e QUINT-it në Kosovë dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd.

Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi”, thuhet në njoftim.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.