Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon të shtunën ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).
Vuçiq të premten ka deklaruar se dalja e Serbisë nga kjo organizatë ndërkombëtare është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet.Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar sot eurodeputetja, Viola von Cramon, e cila në postimin e saj në X, ka shkruar se sigurisht që Serbia nuk do të largohet nga ky Këshill.“Sigurisht që Serbia nuk do të largohet. Biseda nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt. Anëtarët e Këshillit të Evropës do të vendosin vetë se kë do të pranojnë. Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, ka shkruar Von Cramon në X.
Daçiqi thotë se Von Cramoni po fyen Serbinë
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon po fyen Serbinë.
Von Cramon të shtunën u shpreh se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po bën blof duke kërcënuar se do të largohet nga Këshilli i Evropës nëse pranohet Kosova.
“Niveli i paturpësisë me të cilin disa politikanë evropianë i drejtohen Serbisë është i habitshëm. Kush dhe çfarë i jep të drejtën Viola von Cramonit të fyejë Serbinë, presidentin Aleksandar Vuçiq dhe popullin serb. Askush e pyet dhe askush nuk e kritikon”, ka thënë Daçiq, shkruan “Danas”.
Sipas tij, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte precedent dhe shkelje e rëndë e parimeve mbi të cilat mbështetet kjo organizatë, sepse “Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe as anëtar i Kombeve të Bashkuara”.
“Na kanë gënjyer se kusht për Kosovën do të jetë formimi i Asociacionit dhe në vend që të dënohet Prishtina, tash duhet të shpërblehet me pranim në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Daçiq, duke shtuar se politika e jashtme e Serbisë është krejtësisht e pavarur.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e dënoi gjuhën e Von Cramonit.
