Autoritetet shqiptare nisën ekstradimet e personave të kërkuar në Shqipëri, por që jetonin në Dubai.
Kjo u arrit këtë të mërkurë, ku personi i parë që u soll nga Dubai është Bruno Çobo, i cili ishte shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, pasi përmes mashtrimit me call centera ai mashtroi disa qytetarë italianë, duke iu zhvatur 4.7 mln euro.
Sipas të dhënave, sjellja e Çobos u arrit falë bashkëpunimit të autoriteteve ligjzbatuese, ku vlen të theksohet se më 9 shkurt të këtij viti ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se Shqipëria i ka dorëzuar Emirateve të Bashkuara Arabe marrëveshjen për ekstradimet, ndërkohë që mes zyrave të Interpol Tiranës dhe asaj të Abu Dabi kishte nisur një marrëveshje konkrete.
Ndërkohë pritet që në vijim të ekstradohen edhe personazhe të tjera të botës së krimit, të cilët prej vitesh jetojnë ose fshihen në Dubai.
Dubai, ose ndryshe “parajsa” e personave që qëndrojnë atje ndonëse në vende tjera kanë rekorde të theksuara kriminale, tashmë nuk mund të konsiderohet e tillë, duke qenë se ekstradimet tashmë nisën.
