Një skandal ka mbërthyer policinë e Mançesterit në Britaninë e Madhe, pasi një grua ka akuzuar forcat e rendit se e kanë sulmuar seksualisht pasi e zhveshën dhe e lanë topless në një qeli për orë të tëra.
Zayna Iman ka hequr dorë nga anonimiteti i saj për të folur kundër policisë së Mançesterit pas një kalvari prej 40 orësh që kaloi në komisariatin kryesor të qytetit.
Ajo tani po kërkon përgjigje për atë që i ndodhi natën kur u arrestua, si dhe akses në materialet e kamerave të sigurisë, rreth tre orë xhirime që dyshohet se mungojnë.
Në kërkesat e saj Iman mbështetet nga një ish-oficer i lartë i policisë së Mançesterit dhe nga një ministër i qeverisë që tha sot se do t’i kërkonte mbikëqyrësve të forcave të rendit të hetonin rastin në fjalë.
Ish shefi i GMP-së, Martin Harding, i ka mbështetur pretendimet e saj për trajtimin e saj si të besueshme, pasi ka parë pamjet e vëna në dispozicion.
Ai tha gjithashtu se nuk mund të shihte “asnjë justifikim” për një kontroll të supozuar të kryer ndaj zonjës Iman që përfshinte katër oficere policie, të cilat e zhveshën.
