Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, tronditi Britaninë e Madhe të premten duke dhënë dorëheqje si ligjvënës, pasi iu tha se do të sanksionohej për mashtrimin e Parlamentit.
Johnson dha dorëheqjen pasi mori rezultatet e një hetimi nga ligjvënësit për deklaratat mashtruese që ai bëri në Parlament për një seri ndejash qeveritare që thyen rregullat gjatë pandemisë së COVID-19, kohë kur ai ishte në pushtet.
Në një deklaratë të gjatë dorëheqjeje, Johnson akuzoi kundërshtarët se po përpiqeshin ta dëbonin atë dhe la të kuptohej se karriera e tij politike mund të mos ketë përfunduar ende.
“Është shumë e trishtueshme që po largohem nga Parlamenti, të paktën tani për tani”, tha ai.
Johnson, 58 vjeç, tha se kishte “marrë një letër nga Komiteti i Privilegjeve duke e bërë të qartë – për habinë time – se ata janë të vendosur të përdorin procedurat kundër meje për të më dëbuar nga Parlamenti”, shtoi Johnson në letrën e tij.
Ai e quajti komitetin që e hetonte atë, i cili ka anëtarë si nga qeveria ashtu edhe nga partitë opozitare, një “gjykatë kanguri”.
