Serbi, parlamenti nis seancën e jashtëzakonshme për Kosovën

TË FUNDIT

Deputetët e Kuvendit të Serbisë nisin sot një seancë të re të jashtëzakonshme, ku presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të prezantojë Raportin për procesin e negociatave me Kosovën.

Raportin zyrtarisht deputetëve iu ka dorëzuar Qeveria e Serbisë, e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën si dhe Zyra, më pak e njohur, për Çështje Koordinuese në procesin e negociatave me Kosovën.

Raporti paraqet një sërë aktivitetesh në proces, si dhe një përmbledhje të situatës sipas temave, ndër të cilat janë komuniteti i komunave serbe, policia, gjyqësori, energjia, integrimet evropiane dhe tema të shumta të tjera. Nga gjithsej 40 faqe, 15 të parat janë një hyrje që radhit atë që është bërë në vitet e fundit.

Në pjesën ku analizohet seksioni i partive, kur bëhet fjalë për Bashkimin e Komunave Serbe, thuhet se as në këtë periudhë raportuese nuk ka pasur zhvillime formale. Nuk ka progres as në fushën e policisë, problemi i gjyqësorit ka vazhduar, me faktin se tani është edhe më keq, sepse serbët, siç thuhet, “përkohësisht janë larguar nga institucionet”, dhe raporti. gjithashtu rendit shembuj të shumtë të praktikave të këqija. Është përmendur një progres i vogël në energjetikë, nuk ka përparim në integrimet evropiane për shkak të, siç u tha, pengimit të Prishtinës “që e thelloi krizën”, nuk ka përparim në kadastër, regjistra, Prishtina shkel dispozitat për vula, marrëveshja për diploma u bllokua dhe nuk u miratua as një deklaratë për personat e zhdukur. Dhe në të gjitha fushat e tjera, Beogradi bëri gjithçka për të zbatuar marrëveshjen, thuhet në raport, me shembuj të shumtë të shkeljeve nga Prishtina.

Më herët është bërë e ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të diskutojë me deputetët për të ashtuquajturin “propozim franko-gjerman”, për të cilin Serbia duhet të deklarohet. Disa parti opozitare kërkuan nga Vuçiq që t’ua dorëzojë atë propozim dhe ta bëjë objekt diskutimi, por tani për tani ai dokument nuk ka hyrë në procedurë dhe në dokumentet që do t’u prezantohen deputetëve nuk ka të dhëna për ndonjë plan./21Media