Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshje me Serbinë brenda pak muajve. Në një intervistë për të përditshme zvicerane “Blick”, Kurti ka deklaruar se Kosova e ka shprehur vullnetin për të gjetur një dakordësi, duke theksuar se mund të arrihet nëse edhe Serbia shpreh të njëjtin vullnet.
Sipas Kurtit, për të patur paqe afatgjatë në rajon, duhet që Serbia të distancohet nga e kaluara e Millosheviçit dhe tani edhe nga Vladimir Putini, duke akuzuar se Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë.
“Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje – dhe mbështetja e Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën”, tha Kurti.
Në lidhje me situatën në veri të vendit, Kurti tha se situata është e qetë për momentin, teksa shton se i ka bërë thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të aplikojnë për punë në shërbimin publik.
“Situata është e qetë për momentin, policia jonë është prezente. Dhe së fundi kam bërë një thirrje publike për të gjithë serbët në Kosovë që të aplikojnë për punë në shërbimin publik, për shembull në forcën policore. Kjo vjen pasi zyrtarët serbë dhanë dorëheqjen mes tensioneve në veri të Kosovës. Nuk është qëllimi im të zëvendësoj serbët në pushtet me shqiptarë! Dua serbët në këto pozita”, theksoi kryeministri i Kosovës.
