Një shpërthim i madh ka goditur një tubacion gazi në rajonin Pasvalys të Lituanisë veriore, pranë kufirit me Letoninë.
Imazhet e transmetuara nga mediat lokale treguan flakët pas shpërthimit, por zyrtarët thonë se nuk ka pasur të lënduar në njerëz, shkruan BBC.
Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Artis Pabriks, shkroi në Twitter se shkaku i incidentit do të hetohej, teksa shtoi se nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë një sabotim.
Drejtori ekzekutiv i operatorit lituanez të gazsjellësit tha se zjarri është shuar.
“Sipas vlerësimit fillestar, ne nuk shohim ndonjë shkak malinj, por hetimi do të mbulojë të gjitha opsionet e mundshme”, tha në një konferencë për shtyp drejtori ekzekutiv i Amber Grid, Nemunas Bykniu.
Furnizimi me gaz u ndërpre, por Byknui deklaroi se shpërthimi dëmtoi një nga dy tubacionet paralele që dërgojnë gaz nga Lituania në Letoni dhe se planifikohet që të rivendoset furnizimi.
“Ne planifikojmë të rivendosim furnizimin me gaz brenda pak orësh, në sasi të krahasueshme. Ne planifikojmë që klientët të mos e ndjejnë ndikimin e kësaj ngjarjeje”, theksoi ai.
