Biden dhe Xi takohen të hënën

TË FUNDIT

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet të hënën me presidentin kinez, Xi Jinping, në margjinat e Samitit të G20-ës, i cili mbahet javën e ardhshme në Bali të Indonezisë.

Ky takim ballë për ballë që vjen në mes të marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara SHBA-Kinë, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.

Ky do të jetë takimi i parë fizik midis liderëve të dy ekonomive më të mëdha në botë, që kur Biden u bë president në janar të vitit 2021.

Takimi vjen disa javë pasi presidentit kinez iu dha një mandat i tretë, pesëvjeçar në krye të Partisë Komuniste Kineze.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se liderët do të takohen për të “diskutuar përpjekjet për të ruajtur dhe thelluar linjat e komunikimit midis dy vendeve”.

Biden u tha gazetarëve të mërkurën se ai synon të diskutojë me Xi për tensionet në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit mbi ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit, politikat tregtare, marrëdhëniet e Pekinit me Rusinë dhe çështje tjera.