Njihuni me 3 mashtrueset më të mëdha të epokës së re!

TË FUNDIT

Nga Charles Ponzi, pas të cilit u ndërtua një lloj skeme piramidale, te Lou Pearlman, i cili “mashtroi” qindra njerëz për më shumë se 300 milionë dollarë, historia kujton një numër të madh njerëzish që donin të pasuroheshin aty për aty duke mos zgjedhur mjete apo mënyra për të fituar para, transmeton Euronews.

Megjithëse ka shumë pak gra në ‘kompaninë’ famëkeqe të mashtruesve më të mëdhenj në botë, së fundmi kjo ka filluar të ndryshojë.

Nga “miliarderja më e re në botë”, tek “trashëgimtarja e pasur” dhe deri te “mbretëresha e kriptove”, keto janë tre mashtrueset më të mëdha të epokës së re.

Elizabeth Holmes

Elizabeth Holmes u quajt “femra Steve Jobs”. Ajo u konsiderua si miliarderja më e re në botë teksa ishte e ftuar pothuajse në të gjitha konferencat e mëdha. Holmes hyri në një botë të dominuar tradicionalisht nga burra të moshuar kur ishte shumë e re, duke premtuar se kompania e saj “Theranos” mund të sillte një revolucion në fushën e diagnostikimit falë një makinerie të quajtur “Edison”.

Sidoqoftë, së shpejti rezultoi se pajisja e saj unike nuk funksiononte fare. Në vend që të ishte në majë të botës, Holmes përfundoi shpejt në burg, pasi u shpall fajtore për mashtrim “serioz” mbi 400 milionë dollarë, shkruan Euronews Serbia.

Rasti i kompanisë së saj është bërë një simbol i grackave të kulturës së startup-it të Silicon Valley.

Holmes vjen nga një familje e pasur në Amerikë. Edhe pse prindërit e saj, Christian dhe Noel, nuk ishin miliarderë, ata ishin mjaft të pasur për të përballuar studimet e vajzës së tyre në Stanford, një nga universitetet më prestigjioze në botë.

Jo shumë kohë më pas, Holmes krijoi një plan biznesi për “Theranos”, një startup për prodhimin e një mjeti të veçantë diagnostikues dhe vendosi të linte studimet dhe të përdorte paratë që prindërit i ndanë për arsimimin e saj për të hapur kompaninë.

Ajo e bindi profesorin e saj Channing Robertson të bëhej anëtari i parë i bordit të Theranos dhe filloi të tërheqë investitorë me produktin e saj unik.

Edhe pse Holmes doli në qendër të vëmendjes së publikut në vitin 2013 dhe u bë një yll mediatik, vetë Theranos ishte një mister deri në rënien e saj.

Holmes ndërtoi me kujdes imazhin mediatik, duke imituar modelin e saj, themeluesin e kompanisë “Apple” Steve Jobs. Ajo shfaqej gjithmonë e veshur me të zeza, njësoj si Jobs dhe punësoi stilistë nga kompania e tij për të dizajnuar “Edison”. Holmes premtoi se mjetet diagnostikuese të kompanisë “Theranos” do të ishin të disponueshme brenda dhjetë kilometrave nga çdo familje amerikane dhe u tha investitorëve se testet e saj tashmë po përdoreshin nga ushtria amerikane në helikopterët e tyre mjekësorë.

Anna Sorokin

Jo më pak kinematografike është historia e Anna Sorokin, e njohur më mirë si Anna Delva, një artiste mashtruese që pretendonte të ishte një trashëgimtare e pasur dhe që përfundimisht u dënua dhe kreu katër vjet burg për vjedhje të rëndë dhe mashtrim.

Historia e saj shërbeu si bazë për serialin e Netflix “Inventing Anna”, i cili u shfaq premierë më 11 shkurt dhe u bë shpejt një hit global.

Sorokin, e cila lindi në Rusi dhe u rrit në Gjermani, u prezantua si një trashëgimtare e pasur që nga viti 2013 – ajo tha se babai i saj ishte një manjat nafte dhe një biznesmen i pasur (megjithëse ai dikur ishte shofer kamioni, dhe më pas tregtonte kondicionerë).

Ajo erdhi në Nju Jork për të filluar biznesin e saj dhe në pak kohë nisi të jetonte në dhoma hotelesh luksoze, udhëtoi nga Omaha në Marrakesh, jepte shumë bakshish për taksistët dhe portierët.

Por Anna nuk mund të përballonte asgjë nga këto, sepse pas asaj jete luksi fshihej mashtrimi. Gjatë gjithë kohës, ajo merrte para që nuk ishin të sajat dhe që i merrte duke gënjyer. Ajo luajti edhe lojën e një trashëgimtareje të madhe kur i kërkoi një banke një kredi prej 22 milionë dollarësh për të krijuar të ashtuquajturin Fondacioni Anna Delvy.

Në fillim, askush nuk dyshoi kur ajo kërkoi të paguante për taksi ose biletën e avionit me kartën e saj të kreditit – sepse shpjegimi i saj dukej mjaft logjik – është e ndërlikuar të transferosh para nga një llogari në Evropë.

Me kalimin e kohës, sjellja e saj “i ndezi dritat”. Ana u arrestua dhe pas një gjyqi të gjatë u dënua në vitin 2019 me burgim nga katër deri në 12 vjet. Për shkak të sjelljes së mirë, ajo kaloi katër vjet pas hekurave, por shpejt u arrestua përsëri, pasi viza amerikane i kishte skaduar.

Vetëm së fundmi ajo u lirua sërish dhe është në pritje të deportimit në Gjermani.

Ruza Ignatova

Ndryshe nga Holmes dhe Sorokin, historia e mashtrueses Ruza Ignatova nuk është shfaqur ende, ndonëse ka të gjithë elementët e nevojshëm për një histori krimi. Për më tepër, mashtrimi i saj është përshkruar tashmë në librin “The Missing Cryptoqueen” nga gazetari Jamie Bartlett, i cili udhëtoi nëpër Evropë dhe bashkoi pjesët e enigmës për këtë person misterioz.

“Mbretëresha kripto”, siç quhej kjo grua, është në listën e dhjetë të arratisurve më të kërkuar dhe Byroja Federale e Hetimeve të SHBA-së (FBI) po ofron një shpërblim prej 100 mijë dollarësh për ata që i ndihmojnë ta gjejnë.

Ignatova akuzohet për mashtrimin e investitorëve naivë nga pjesë të ndryshme të botës me miliarda dollarë përmes kriptomonedhës së saj OneCoin, të cilën ajo e lançoi në vitin 2014.

Ruzha Ignatova ka lindur në Bullgari në vitin 1980, dhe që fëmijë është shpërngulur në Gjermani me prindërit e saj. Ajo ishte një studente e shkëlqyer, studioi në Universitetin e Oksfordit dhe më vonë mori doktoraturën në fushën e së drejtës ndërkombëtare private në Universitetin e Konstancës.

Sipas Bartlett, Ruza është një grua tepër inteligjente, e cila dikur ka punuar për firma konsulente. Mirëpo, në një moment ajo kuptoi se paratë që fitonte nuk mjaftonin. Ajo donte më shumë.

Në atë kohë, bitcoin sapo kishte filluar të zhvillohej, duke tërhequr investime të mëdha në mbarë botën dhe Ignatova vendosi të bëhej konkurrenca e tyre.

Ajo lançoi kriptomonedhën OneCoin në vitin 2014 dhe nisi të marrë pjesë në konferenca të shumta dhe ngjarje të mëdha, ku i bëri përshtypje audiencës me fjalimet e saj, qëndrimin dhe bizhuteritë e shndritshme. Deri në fund të vitit 2016, kompania e saj kishte mbledhur më shumë se 3.353 miliardë euro në shitje.

Duke përdorur një moment të favorshëm në fillimet e kësaj industrie ende të re, Ignatova u garantoi investitorëve një kthim të madh me rreziqe minimale dhe u ofroi atyre një përqindje nëse do t’ia shisnin OneCoin një prej miqve dhe të njohurve të tyre.

Kur kjo ndodhi me Ruzën, ajo thjesht u zhduk.

Autoritetet amerikane e kanë kërkuar Ignatovën që nga viti 2017. Ajo është e vetmja grua në listën e dhjetë personave më të kërkuar të FBI-së dhe në përshkrimin e tyre thuhet se ajo flet anglisht, bullgarisht, gjermanisht dhe me shumë gjasa ka një pasaportë false.