Në Donjeck, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, kutitë e votimit vazhdojnë të qarkullojnë shtëpi më shtëpi, për të legjitimuar aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia.
Në frontin e luftës, milicitë që kanë kontrolluar territoret jashtë sovranitetit ukrainas kanë hedhur tashmë votën e tyre.
Rusia ka bërë të ditur se votimi do të vazhdojë deri më 27 shtator.
“Referendumet po kryhen në bazë të vendimeve të qeverive lokale. Kushtet e këtyre referendumeve janë bërë publike dhe në përfundim të tyre, Rusia do të respektojë vullnetin e popullit që për vite me radhë ka vuajtur nga abuzimet e regjimit neo nazist”, u shpreh ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Në anën ukrainase, në qytete si Kramatorsku, banorët druhen se një natë territoret e tyre mund të bien nën pushtetin rus.
“Çfarë mund të them për referendumin? Është i paligjshëm. Kjo është toka jonë, tokë ukrainase dhe gjithçka që po bëjnë është e paligjshme. Ne jemi ukrainas!”, Natalia, banore e Kramatorskut.
Aleatët e Ukrainës kanë deklaruar se nuk do ta njohin sovranitetin e Rusisë, por, sikurse ndodhi me Krimenë, me t’u aneksuar, kthimi pas do të jetë i vështirë.
