Hetimet për vrasjen e Jovan Vukotiç kohët e fundit, liderit të organizatës së krimit të organizuar të njohur në rajon si “Klani Skaljar”, zbuluan se vrasja ishte kryer nga anëtarë të një grupi rival të krimit të organizuar që ndoqi Vukotiçin të paktën 4 muaj para vrasjes më 8 shtator në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).
Në lidhje me: VMRO-DPMNE: Narko bosi i vrarë në Turqi kishte pasaportë të Maqedonisë
Vukotiç u vra në autostradën në qarkun Sisli të Stambollit ndërsa të shtënat fatale u shkrepën nga një sulmues me motoçikletë që drejtohej nga një bashkëpunëtor tjetër. Vukotiç u vra në automjetin në të cilën në atë moment ndodheshin gruaja e tij, një fëmijë i mitur dhe shoferi.
Sulmuesit u arrestuan, ndërsa hetimet për rastin po zhvillohen nga zyrtarë të Departamentit të Policisë së Stambollit për Luftën kundër Krimit të Organizuar.
Hetuesit analizuan 1.700 orë incizim nga kamerat e vëzhgimit të mbledhura në 200 lokacione rreth skenës së vrasjes së Vukotiçit, i cili u arrestua 3 vjet më parë në Istanbul dhe u ekstradua në Serbi, ku u lirua dhe u kthye në Stamboll me dokumente false.
Vrasja u krye nga E.E dhe Y.D., anëtarë të një organizate të krimit të organizuar, drejtuesi i së cilës ishte turku B.B., i cili u kap në Itali me fletëarrest të kuq të Interpolit.
Hetuesit gjetën pajisje gjurmuese GPS në dysheme dhe në bagazhin e automjetit në të cilin u vra Vukotiç. Gjithashtu u konstatua se Vukotiç ishte ndjekur 4 muaj nga një automjet i marrë me qira në Izmir nga E.E, E.T. dhe F.Y. anëtarë të një organizate të krimit të organizuar, lideri i së cilës B.C. u arrestua në Mal të Zi.
Burime të afërta me hetimet thanë se të dyshuarit kishin tentuar edhe në disa raste më parë pa sukses të kryenin një sulm të armatosur ndaj Vukotiçit.
Oficerët e policisë turke, të cilët gjithashtu shkëmbyen informacione me autoritetet në Mal të Zi, mësuan se që nga viti 2014, në sulme të armatosura janë vrarë të paktën 50 persona nga organizatat kriminale të klanit Skaljar dhe Kavaç dhe se shkak për këtë është një konflikt për kontrabandën e drogës.
Hetuesit dyshojnë se krerët e klanit Kavaç, Radoje Zhivkoviç dhe Zdravko Perunoviç, urdhëruan sulmin e armatosur ndaj Vukotiçit në Stamboll për afër një milion euro. Sulmi dyshohet se është kryer për shkak të një sasie të madhe droge të humbur në Serbi.
Pasi identifikoi të gjithë të dyshuarit, adresat e tyre dhe rrugët e arratisjes, policia e Stambollit kreu operacione të njëkohshme në 5 provinca turke.
Në aksionet e kryera në Stamboll, Izmir, Zonguldak, Antalya dhe Artvin, 12 të dyshuar të akuzuar për lidhje me vrasjen e Vukotiçit u privuan nga liria.
Gjatë kontrolleve të kryera në adresat e tyre, u sekuestruan 6 pasaporta false, 11 dokumente identiteti false nga vende të ndryshme, tre pajisje GPS satelitore dhe dy armë të përdorura në ngjarje.
Nga ana tjetër, në ekzaminimin e telefonave, kompjuterëve dhe flash drive-ve të të dyshuarve janë gjetur shumë dokumente organizative për mënyrën se si është kryer sulmi.
Pas hetimeve penale në Drejtorinë e Policisë së Stambollit, 12 të dyshuar u janë dorëzuar autoriteteve kompetente turke, ndër të cilët Radoje Zhivkoviç, Zdravko Perunoviç si dhe E.S., Y.D., E.E., E.T. dhe F.Y.
Ndryshe, VMRO-DPMNE-ja opozitare në Maqedoninë e Veriut disa herë ka akuzuar pushtetin se i ka mundësuar Vukotiçit që të përdorë pasaportë false të Maqedonisë së Veriut.
