Presidentja e Komisionit Europian: Putin para Gjykatës Ndërkombëtare, Ukrainës do t’i dërgojmë tanke

TË FUNDIT

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen është shprehur gjatë një interviste se presidenti rus Vladimir Putin duhet të përballet me Gjykatën Penale Ndërkombëtare, për krimet e luftës në Ukrainë.

“Putini duhet ta humbasë këtë luftë dhe duhet të përballet me veprimet e tij, kjo është e rëndësishme për mua. Ne mbështesim mbledhjen e provave me qëllim të procedimeve të mundshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Kjo është baza e sistemit tonë juridik ndërkombëtar, që ne i ndëshkojmë këto krime. Dhe në fund të fundit, Putin është përgjegjës.”

Ndërsa u pyet nëse ajo mendon se Putin do të dalë ndonjëherë para drejtësisë, përgjigjja e Von der Leyen ishte:

“Unë mendoj se kjo është e mundur.”

Ndër të tjera Von der Leyen bëri thirrje që të gjitha vendet duhet ti vijnë në ndihmë Ukrainës për tu pajisur me armatime nëse është e nevojshme.

“Nëse ata thonë se kanë nevojë për tanke beteje, atëherë ne duhet ta marrim seriozisht dhe t’ua dorëzojmë atyre.” Ukraina e di saktësisht se çfarë i duhet “për të mbrojtur jetën dhe për të mbrojtur veten”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sapo kanë miratuar zyrtarisht paketën e re të ndihmës prej 600 milion dollarësh për Ukrainën. Ajo përfshin armë, municione, dhe pajisje shtesë. Teksa lufta ne Ukrainë vijon prej 7 muajsh presidenti Volodimir Zelensky njoftoi të enjten në mbrëmje se është gjetur një varr masiv në IZium ku u gjenden 400 trupa të ushtarëve ukrainas.