Rifillon eksporti i drithit të Ukrainës nga porti i Odesës

TË FUNDIT

Një anije e ngarkuar me misër u nis të hënën nga porti i Odesës në drejtim të Libanit, ashtu siç edhe parashihet në marrëveshjen për korridorin e sigurt të eksportit të drithit e nënshkruar javë më parë nga Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara.

Kjo është anija e parë që transporton drithë ukrainas që nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë, sulmi i paprovokuar që bllokoi dërgesat përmes Detit të Zi pesë muaj më parë.

Anija e parë me drithë ukrainas u nis të hënën nga porti i Odesës, një zhvillim që ka shtuar shpresat se marrëveshja e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht do të mundësojë eksportin e drithit ukrainas drejt tregjeve të huaja duke lehtësuar krizën në rritje të urisë.

Anija që bart flamurin e Sierra Leones e quajtur “Razoni” u nis nga Odesa në drejtim të Libanit, tha ministria turke e mbrojtjes.

Kombet e Bashkuara njoftuan në një deklaratë se anija “Razoni” po transporton mbi 26 mijë tonë misër.

Të dhënat e një gjurmuesi sigurie tregojnë se anija doli ngadalë nga porti i Odesës mëngjesin e së hënës, së bashku me një anije tërheqëse.

Anija pritet të arrijë të martën në Stamboll, ku do të inspektohet, para se të lejohet të vazhdojë rrugën.

Misri do të shkojë në Liban, një vend i vogël i Lindjes së Mesme që sipas Bankës Botërore po përballet me një nga krizat financiare më të rënda në botë në mbi 150 vjet.