Kryeministri britanik, Boris Johnson, dha dorëheqje nga posti i liderit të Partisë Konservatore të enjten, duke thënë se ishte “qartësisht vullneti” i partisë së tij që ai të largohej.
Ai u tërhoq si udhëheqës i partisë, por planifikon të qëndrojë si kryeministër derisa të mbahet gara për lidership.
Më poshtë janë emrat e disa prej atyre që mund ta zëvendësojnë. Megjithatë, nuk ka ende favorit të qartë dhe ata nuk janë renditur sipas perspektivave të mundshme.
Liz Truss
Sekretarja e Jashtme është e preferuara e Partisë qeverisëse Konservatore. Ajo ka kryesuar vazhdimisht sondazhet e bëra nga ueb-faqja Conservative Home.
Truss ka krijuar me kujdes imazhin e saj publik. Ajo është fotografuar në një tank vitin e kaluar, duke i bërë jehonë një fotografie të famshme të vitit 1986 të kryeministres së parë grua të Britanisë, Margaret Thatcher.
Truss, 46 vjeçe, ka kaluar dy vjetët e parë të udhëheqjes së Johnsonit si sekretare e Tregtisë Ndërkombëtare, ka mbështetur BREXIT-in [daljen e Britanisë nga BE-ja] dhe, vitin e kaluar, është emëruar kryenegociatore e Britanisë me BE-në.
Truss ka thënë të hënën se Johnson ka “mbështetjen e saj 100%” dhe u ka kërkuar kolegëve ta mbështesin atë.
Jeremy Hunt
Ish-sekretari i Jashtëm, 55 vjeç, ka përfunduar i dyti, pas Johnsonit, në garën për udhëheqje, në vitin 2019. Ai do të ofronte një stil lidershipi më serioz dhe më pak të diskutueshëm.
Gjatë dy vjetëve të fundit, Hunt ka shfrytëzuar përvojën e tij si ish-sekretar i Shëndetësisë për të kryesuar Komisionin e Shëndetësisë në Parlament.
Muaj më parë, ai ka thënë se ambicia e tij për t’u bërë kryeministër “nuk është zhdukur plotësisht”. Hunt ka thënë se ka votuar për të rrëzuar Johnsonin gjatë një votëbesimi muajin e kaluar, të cilin Johnson mezi e ka fituar.
Ben Wallace
Ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace, 52 vjeç, është bërë muajt e fundit anëtari më popullor i Qeverisë, falë trajtimit të krizës në Ukrainë, vlerëson ueb-faqja Conservative Home.
Si ish-ushtar, ai ka nisur karrierën politike si anëtar i Parlamentit të Skocisë, në vitin 1999. Për herë të parë në Parlamentin Uestministër është zgjedhur më 2005.
Ai ka qenë ministër i Sigurisë nga viti 2016 deri në marrjen e rolit të tij aktual, tre vjet më vonë.
Wallace është vlerësuar shumë, pasi departamenti i tij ka evakuuar shtetasit britanikë dhe aleatët nga Afganistani, vitin e kaluar, si dhe për dërgimin e armëve në Kiev.
Rishi Sunak
Sunak, i cili ka dhënë dorëheqje si ministër i Financave të martën, duke thënë se publiku britanik “me të drejtë pret që Qeveria të drejtohet siç duhet, me kompetencë dhe me seriozitet”, deri në vitin e kaluar ka qenë favorit për ta pasuar Johnsonin.
