“Nuk jemi të pashpresë”, Erdogan thotë se do të telefonojë Zelenskyn dhe Putinin

TË FUNDIT

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot tha se planifikon të telefonojë homologët e tij rus dhe ukrainas dhe të diskutojë mbajtjen e bisedimeve të paqes në nivel liderësh në Turqi, raporton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në Stamboll, Erdogan tha se negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës dhanë rezultate “pozitive” deri më tani, por jo saktësisht siç duhet të ishte.

Duke theksuar se procesi i negociatave do të përmirësohet, ai tha: “Nuk jemi të pashpresë”.

Bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll më 29 mars u panë si një përparim në përpjekjet për të ndalur armiqësitë që, sipas shifrave të OKB-së, kanë marrë jetën e të paktën 2.345 civilëve dhe kanë lënë 2.919 të tjerë të plagosur që nga 24 shkurti.

Pas takimit të Stambollit, një negociator ukrainas tha se Kievi e do Turqinë midis vendeve që do të jenë garantuese në çdo marrëveshje me Moskën.

Në mars, Turqia mblodhi ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas në qytetin e saj turistik jugor Antalya, takimi i parë i zyrtarëve të lartë të qeverisë nga të dy palët që nga fillimi i luftës.