Mos bëni asnjë lëshim në lidhje me çështjen që ka të bëjë me barazinë tonë, kjo nuk guxon dhe nuk duhet të jetë lëndë e negociatave, thuhet në letrën e shoqatave të bullgarëve të Maqedonisë që ia kanë dërguar Sofjes zyrtare.
Ata e kanë bërë këtë hap pasi lideri i partisë “Ka një popull të tillë”, Sllavi Trifonov para dy ditëve propozoi që SHBA-të t’i heqë vizat për Bullgarinë me qëllim që të hyjë në zonën Shengen, ndërsa si kompensim të hiqet vetoja për Maqedoninë e Veriut.
“Mos bëni lëshime për çështjen e barazisë sonë. Kjo nuk mund dhe nuk guxon të jetë lëndë e negociatave, ndërsa garancia e tij nuk mund të jetë premtim bosh për një ardhmëri të pasigurt. Procedura kushtetuese për regjistrimin e bullgarëve të Maqedonisë duhet të fillojë menjëherë. Bullgarët duhet të përmenden në mënyrë të barabartë dhe eksplicite mes popujve të tjerë brenda Kushtetutës së RMV-së“, thuhet në mes tjerash në letrën e shoqatave bullgare në RMV dërguar në Sofje.
Letrën që e publikoi agjencia bullgare BGNES, e nënshkruan disa shoqata të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, nga Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Koçani dhe qytete të tjera.
E gjithë kjo po ndodh pas paralajmërimeve intensive se kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov do të vijë në Shkup për vizitë zyrtare.
Siç publikoi agjencia BGNES, këshilltarja e kryeministrit bullgar, për politikë të jashtme, Vesella Çerneva, më 2 janar e ka vizituar Shkupin.
Kryeministri bullgar, Kirill Petkov paralajmëroi se pas formimit të qeverisë së Maqedonisë, do të zhvillojë takim me kryeministrin e ri Dimitar Kovaçevski.
“Duhej që brenda këtyre ditëve të realizohej ky takim, megjithatë vendosëm se duhet të realizohet pas formimit të qeverisë së re te ne, përkatësisht në gjysmën e dytë të janarit, ku duhet në mënyrë zyrtare të realizohet komunikimi i cili edhe tani ekziston, megjithatë do të duhet të caktohen planet dhe pozitat e Francës në lidhje me angazhimin e saj në këtë proces”, theksoi Bujar Osmani, MPJ (03.01.2022).
Sipas paralajmërimeve, presidenti i Bullgarisë Rumen Radev pritet ta thërrasë Këshillin këshillëdhënës për siguri nacionale më 10 janar për të biseduar për kornizën e relacioneve me Maqedoninë e Veriut.
