Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës e nënshkruar me Greqinë dhe Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë e nënshkruar me Bullgarinë, janë model suksesi për zgjidhjen e problemeve në Ballkan.
Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në paraqitjen para media në Forumin e Prespës për Dialog që u mbajt në Shkup.
“Sot jo që i shpalosëm këto përfitime si suksese tona autentike, por edhe i vendosëm në tavolinë si bazë të zbatimit të mëtejmë si model i suksesit, për tejkalimin e dallimeve, sfidave që janë ende aktuale në Ballkan”, tha Osmani, transmeton TV21.
Ka sqaruar, se qëllimi i Forumit të Prespës për Dialog është të që të njihet esenca e këtyre tre marrëveshjeve, të cilat siç tha Osmani, gëzojnë legjitimitet si brenda dhe jashtë vendit.
“Në thelbin e Forumit të Prespës për dialog, është esenca e tri marrëveshjeve tona, sipas të cilave Maqedonia e Veriut njihet si shembull unik në rajonin më të gjerë. Ato janë, Marrëveshja kornizë e Ohrit, Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë si dhe Marrëveshja për partneritet strategjik me Greqinë e njohur si Marrëveshja e Prespës. Tri marrëveshjet, gëzojnë legjitimitet të fuqishëm brenda vendit dhe ndërkombëtarisht, dhe janë në përgjithësi të pranuara si në vend, ashtu edhe te miqtë tanë ndërkombëtar”, sqaroi më tej Osmani.
