Edhe pse këtyre ditëve në rajonin e Tetovës numri i të prekurve nga Kovid-19 është duke u zvogëluar, koronavirusi për një periudhë më të gjatë është jo vetëm në klasterë por ka edhe transmetim të tij më të gjerë, potencojnë nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë.
Vetëm pesë raste të reja janë regjistruar sot prej të cilave dy në kuadër të Komunës së Tetovës dhe nga një në komunat Tearcë, Zhelinë dhe Bërvenicë. Dje kishte gjashtë raste të reja. Të premten e kaluar (10 korrik) nga 205 raste të reja në shtet në Tetovë ishin 13. Në krahasim me një muaj më parë, më 17 qershor në rajonin e Tetovës pati 19 të infektuar me Kovid.
“Gjithsej të diagnostifikuar në rajonin e Tetovës janë 900 persona, prej të cilëve aktivë për momentin janë 291”, tregojnë të dhënat e Institutit për Shëndet Publik.
Dekreti i obligueshëm i qeverisë në drejtim të parandalimit nga koronavirusi me mbajtjen e maskave mbrojtëse megjithatë nuk respektohet në mënyrë të vazhdueshme duke i pasur parasysh dënimet e përditshme të cilat i jep policia.
“Gjatë njëzet e katër orëve të kaluara për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse 28 personave në rajonin e Tetovës u janë përgatitur urdhëresa pagesore për kundërvajtje, në pajtim me nenin 6 të Dekretit të përshtatshëm qeveritar”, informojnë nga SPB Tetovë.
Në këtë periudhë 30 personave u janë përgatitur vendime të reja për izolim nga Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor, ndërsa u janë kryer kontrolle 526 personave me vendime të tilla, me ç’rast nuk janë konstatuar parregullsi./MIA
