Që nga shtatori, kërkesat për hapjen e paraleleve të reja në SHF ‘’Imri Elezi’’ për të parandaluar mbipopullimin e paraleleve, po hasin në vesh të shurdhër.
Prindërit paralajmërojnë se nëse nuk zgjidhet ky problem deri të hënën, që nga e marta mësimi do të bojkotohet. “Ne si prindër kemi kërkuar nga organet kompetente që të zgjidhin këtë problem sa më shpejtë. Në të kundërtën, që nga dita e martë do të marrim masat, masë që është shumë e hidhur edhe për fëmijët tanë Jemi të vetëdijshëm, por do të ftojmë edhe nxënës të tjerë të na bashkëngjiten, të solidarizohen me moshatarët e tyre dhe të bojkotojnë mësimin total në shkollë, përderisa nuk zgjidhet ky problem bojkoti do vazhdojë”, thotë Milazim Azemi, njëri nga prindërit.
Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi ia hedh fajin vet shkollës, përkatësisht drejtoreshës, e cila sipas tij duhet të organizojë mësimin në kuadër të shkollës, e jo të bëjnë kërkesë për një paralele të re dhe t’u kujtohet të adresojnë problemet pasi të fillojë viti shkollor.
Drejtoresha e shkollës shpjegon se gjatë regjistrimit gjithçka ka shkuar në rregull dhe se në momentin kur ka filluar të rritet numri i nxënësve, kanë bërë kërkesë deri te organet kompetente. “Në fillim të shtatorit, përkatësisht prej 20 gushtit, prindërit vetëm se kanë filluar të regjistrojnë fëmijët në shkollën tonë. Dhe, vetëm se kur e kemi parë se numri e ka arritur kulmin, atëherë ne e kemi bërë kërkesën. Domethënë që ne nuk kemi mundur t’i mbyllim dyert, me arsye për ato nxënës se janë me vonesë. Ku do të shkonin ata nxënës”, thotë drejtoresha Koxhaxhiku.
Numri i madh i nxënësve në paralele është dukuri pothuajse në të gjitha shkollat shqipe, por më e theksuar në Shkup. Në shkollat fillore “Imri Elezi”, “Ismail Qemali” dhe “Petar Zdravkovski- Penko”, në një klasë mësojnë nga 35 deri 40 nxënës, numër ky që vështirëson punën e mësimdhënësve.
