Në intervistën e saj për “10 minuta”, nënkryetarja e BDI Arifi deklaroi se mosarritja e marrëveshjes mes negociuesve të Përzhinos rrezikon të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.
Ajo, prapëseprapë, shprehu besim se me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, marrëveshje do të ketë. “Mosarritja e marrëveshjes vë në pikëpyetje të gjitha të arriturat e deritanishme, dhe kjo është e qartë. Por jam e bindur, si edhe në rastet tjera, ai momenti i presionit që është i rëndësishëm dhe që ndërkombëtarët në mënyrë shumë të saktë e bëjnë realizimin e afateve të çështjeve këtu”, vlerësoi Arifi.
Nënkryetarja e BDI komentoi edhe largimet e fundit të anëtarëve të shquar prej kësaj partie, si dhe mundësinë për largimin të anëtarëve të tjerë. Ajo çdo largim nga partia e cilëson si humbje, por se disa procese nuk mund të ndalen. “Unë mendoj që largimi i çdokujt nga Bashkimi Demokratik për Integrim është normalisht një humbje për ne, për arsye se ne kemi filluar këtë punë, jemi një subjekt. Por, normalisht ashtu si e thashë, nuk mundemi që ndalim procese që dikush i ka menduar”, theksoi Arifi.
E pyetur për spekulimet se vallë është ajo kandidati kryesor për të trashëguar liderin Ali Ahmeti, Arifi tha se është e koncentruar në problemet e komunës që ajo drejton, dhe se momentalisht nuk ka synim të tillë.
Intervistoi: Furkan Saliu
