VMRO-DPMNE, BDI – propozojnë ligj për ndalim të publikimit të "bombave"

TË FUNDIT

Sot, grupet e deputetëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-se në Kuvend parashtruan propozim-ligjin për ndalim të posedimit, përpunimit, publikimit dhe pasjes në dispozicion të materialeve që dalin nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve.

Sipas shefit të grupit të deputetëve  të BDI-së, Talat Xhaferi, ky propozim-ligj del nga momenti qëkur është arritur edhe marrëveshja për Prokurorin Publik Special. “Është arritur marrëveshje edhe në pjesën e tekstit për ligjin, në momentin kur është arritur marrëveshja për ligjin për Prokuror Publik Special; dhe si i tillë mbetet detyrimi, që njëra palë ose tjetra ta vërë në procedurë adekuate. Propozues formal juridik jemi ne grupet e deputetëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, kurse në thelb është nënshkruar si pjesë e marrëveshjes”, informoi Xhaferi..

Marrëveshja, siç sqaroi Xhaferi, ka qenë me qëllim të prurjes së një ligji të veçantë, me të cilin do të rregullohet keqpërdorimi i materialeve të përgjuara për qëllime të tjera. “Qëllimi i ligjit është të pamundësojë çdonjërin që në mënyrë të paautorizuar, pas sjelljes së ligjit, t’i keqpërdorë materialet të cilat i ka pasur në dispozicion apo ka pasur kontakt me të njëjtit dhe, në këtë kontekst, ligji parasheh ndalim të posedimit të të njëjtave”, potencoi ai. Të gjitha ata që posedojnë materiale të tilla apo kanë kontakt me ta, siç tha Xhaferi, do të duhet t’i dorëzojnë deri te Prokurori Publik Special që është kompetent për rastin.

Parashtrimi i sotëm i ligjit nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, për materialet e shkoqitura, të prera e të montuara sipas Gruevskit, që përnjëherë u bënë materiale të përgjuara dhe të atilla që duhet të ndalohen me ligj, kështu spër këtë propozim shprehet zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov. “Një ligj i tillë as nuk është i kontraktuar, e as i diskutuar mes nënshkruesve të marrëveshjes. Ky propozim i BDI dhe VMRO-DPMNE është tentim për të penguar procesin e negociatave. Një gjë të tillë nuk do ta lejojmë. Për ne, është shumë me rëndësi që më në fund u konfirmua vërtetësia e bisedimeve”, potencoi ai.

Për dorëzim të një propozim ligji të tillë vërtetoi edhe koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski. Ai pohon se lideri i LSDM-së Zaev, në ditën kur është arritur marrëveshje për Prokurorin Special, ka dhënë fjalë se nga 20 tetori Parlamenti duhet të sjellë ligj të tillë, me të cilin do të ishte ndaluar keqpërdorimi i materialeve të përgjuara. “Çdo tentativë e LSDM-së për ta mbuluar premtimin e tillë dhe për ta demantuar kryetarin e vet është punë e brendshme e tyre, ne nuk ndërhyjmë këtu, mirëpo angazhimi është ndërmarrë nga ana e kryetarit të LSDM-së dhe mendojmë se duhet të respektohet”, tha Dimovski.

Në pyetjen se a duhet VMRO-DPMNE të frikësohet nga hetimi i mëtutjeshëm, Dimovski tha se nuk po ikin nga përgjegjësia. “Janë të pasakta pohimet se dikush po frikësohet apo po ik nga këto materiale. Qëllimi është të parandalohet, në drejtim të shkeljes së të drejtave të njeriut”, theksoi Dimovski.

Tani për tani nuk ka informacion se ku propozim ligji do të parashtrohet në seancë parlamentare.

Vesna Jaqimovska