Drislla ua zë frymën banorëve të Batincës

TË FUNDIT

Mbi 10 mijë banorë të fshatit Batincë të Komunës së Studeniçanit që nga vitet e 90-ta përballen me deponinë e mbeturinave, që ua zë frymën banorëve. Shoqata Qytetare “Aksi” alarmon për gjendjen e mjerueshme nga mbeturinat që hedhen pa u penguar nga askush. Sipas kësaj organizate, as komuna nuk çan kokën për këtë problem të qytetarëve, përderisa banorët ankohen për erën e keqe dhe për sëmundjet që shkakton kjo deponi e mbeturinave.  Shoqata Qytetare “Aksi” kërkon nga institucionet të bëhet zhvendosja e kësaj  deponie në vend të përshtatshëm,  pasi që nuk i  plotëson standardet për funksionim.

“Deponia “Drisla” nuk i ka standardet evropiane që të jetë një deponi me të gjitha kushtet elementare, ne kemi hulumtuar që kjo deponi është lënë me qëllim nën kompetenca nën tre komuna, Komunës së Studenicanit, Sopishtes dhe Komunës së Kisella vodës, që kjo deponi asnjëherë mos të zgjidhet. Batincën me 10 mijë banor dhe deponinë “Drisla” i ndanë vetëm rruga, që vërtetë për qytetarët e Batincës, por edhe për qytetin e Shkupit është me të vërtetë një bombë atomike”, thotë Afet Jashari, aktivist i kësaj organizate.

Revolti i banorëve të Batincës vazhdon. Siç thonë ata, nuk mund t’i hapin as dyert e as dritaret nga kundërmimi i erërave të rënda, e rreziku është veçmas i madh nga djegia e mbeturinave.

“Vjen era keqe, për fëmijët keq, nuk vjen as bereqeti, sëmundja vjen.  Edhe kur mbjellim lis prishet, nuk mbin”…”Deponia “Drisla” është një ndër deponitë më të mëdha dhe ka një dëm të jashtëzakonshëm, sidomos ndotjes së tokës në këtë rast , po ashtu ndotjes së ambientit me çka vjen një erë e keqe. Pastaj pësojnë edhe sëmundjet e veçanërisht sëmundjet kardiovaskulare”…”Fshati Batincë është shumë i ndotur për shkak të deponisë Drirla, apelojmë te të gjithë institucionet dhe pushtetin lokal të marrin masa që të përmirësohet ambienti jetësor”, janë disa prej reagimeve të qytetarëve me të cilët biseduam.

Shoqata Aksi do t’i bëjë presion pushtetit lokal për zgjidhjen e këtij problemi.

Arbana Qerimi