Gordana Siljanovska-Davkova nuk pranon debat me aktivistët e Revolucionit Shumëngjyrësh. Ajo thotë se ky Revolucion është pjesë e pushtetit dhe konsideron se ata nuk janë revolucionarë shumëngjyrësh. Siljanovska shton se revolucionarët gjithmonë janë kundër pushtetit.
“Pas heshtjes pothuajse trevjeçare pas revolucionit, si është e mundur që pikërisht tani të shfaqet Revolucioni Shumëngjyrësh? E di çka është revolucion. Nuk besoj se deputetët, këshilltarët, anëtarët e Bordeve Drejtuese, bartësit e projekteve që kushtojnë shumë, kanë legjitimitet të paraqiten vetveten si Revolucion Shumëngjyrësh”, deklaroi kandidatja për president, Gordana Siljanovska Davkova.
Irena Sterijovska nga Revolucioni Shumëngjyrësh, thotë se askush nuk mund të ndalojë që edhe ata që ushtrojnë funksione të caktuara në Parlament apo institucione të jenë pjesë nismës.
“Mendoj se është sjellje frikacake dhe ikja nga përballja me qytetarët, veçanërisht sepse në fund të ditës edhe ata që i quan anëtarë të Bordeve Drejtuese dhe deputetët… së pari askush nuk mund t’ua mohojë të drejtën që t’i bashkëngjiten kësaj nisme. Nëse ju kujtohet në Revolucionin Shumëngjyrësh kishte gjithçka dhe askush asnjëherë nuk e drejtoi gishtin se dikush nuk guxon të marrë pjesë në Revolucionin Shumëngjyrësh”, theksoi Irena Sterijovska nga Lëvizja “Në Mejdan”.
Ndryshe, kandidati për President Stevo Pendarovski në profilin e tij në Fejsbuk ka shkruar se e pranon ftesën për pjesëmarrje në debat publik që do të organizohet nga Lëvizja “Në Mejdan”. Dje një pjesë e aktivistëve të Revolucionit Shumëngjyrësh nën nismën qytetare “Në Mejdan” kërkuan takim të drejtpërdrejtë me kandidatët presidencialë dhe përballje me ta. Ata u bërën thirrje kandidatëve që debati të mbahet në një kafene, kurse pyetjet do t’i parashtrojnë 60 aktivistët që e kanë mbështetur këtë nismë.
Përgatiti: Arbana Q.Klimenta
