Kur kanë mbetur edhe dy javë nga publikimi i raportit të progresit për Maqedoninë e Veriut nga Komisioni Evropian, zëvendëskryeministri për çështje evropiane tha se nuk sheh alternativë tjetër përveç se vendim për fillim të bisedimeve këtë vit.
Osmani tha se Maqedonia e Veriut, ka avancuar shume në rrugët e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave në qershor.
“Unë kujtoj se storja e Maqedonisë së Veriut është aq e fuqishme që tejkalon kufijtë e vendit dhe të rajonit, është storje e cila nuk mund të injorohet dhe storje e cila po të injorohet do të dëmtojë rëndë dinamikën pozitive në vend, në rajon, por edhe do të dëmtojë kredibilitetin e Bashkimit Evropian. Andaj nuk shoh alternativë përveç se vendim për fillim të bisedimeve këtë vit”, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
Osmani konfirmoi se a e ka parë raportin e Komisionit Evropian, por që do ta respektojë vendimin e BE-së, që ajo të bëhet publike pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Nga ana tjetër profesori universitar Rizvan Sulejmani, tha se Evropa po ballafaqohet me problemet e veta të brendshme për organizimin e brendshëm.
“Gjykuar nga ajo se çka ka bërë krejt Maqedonia viteve të fundit, duke filluar me zgjedhjen me problemin me fqinjët duke filluar me Bullgarinë tash në fund me Greqinë, në forma të caktuara në lëmi të caktuara dhe përfundimisht zgjedhjet e fundit presidenciale, me gjithë atë dhamë prova të mjaftueshme te Këshilli Evropian, të merr një vendim pozitiv me propozim të komisionit evropian”, theksoi Rizvan Sulejmani, profesor universitar.
Vendimi i Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj, disa ditë pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Maqedonia e Veriut pritet që nga Këshilli i BE-së në qershor të marrë vendim për negociata. Nëse plotësohen kushtet, konferenca e parë ndërqeveritare do të fillonte para fundit të vitit 2019.
Përgatiti: Zimer Jashari
