AUTORITETET E MAQEDONISË TË PAFUQISHME, REFUGJATI GRUEVSKI PO QESH, HUNGAREZËT BËJNË TEATËR

TË FUNDIT

Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se refugjati Nikolla Gruevski nuk do të ekstradohet në Maqedoni. Për gjykimin e djeshëm, autoritetet e vendit kanë mësuar nga mediat, kurse Ministria e Drejtësisë ende nuk ka marrë asnjë përgjigje lidhur me kërkesën e dytë për ekstradimin e ish-kryeministrit. Në këtë situatë, Maqedonia nuk ka çka të bëjë dhe mbetet vetëm të shpresojë se autoritetet hungareze do të marrin ndonjë vendim të ndryshëm.

“Arsyetimi ishte, nëse e kam kuptuar mirë, pjesa më e rëndësishme e arsyetimit ishte se ai ka azil në Hungari. Azili është dhënë për shkak të kushteve në Maqedoni dhe për këtë arsye nuk mund ta dorëzojnë në vend prej të cilit ka ikur dhe ka marrë azil”, theksoi Oliver Ristovski, zëvendësministër i Drejtësisë.

Domethënë së pari duhet të ketë revizion të azilit, pastaj të shfuqizohet, e në fund të ketë ekstradim?

“Tani, unë nuk i di rregullat në Hungari. Konventat e thonë këtë”, tha zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski.

Por, që kërkesa e Gruevskit për azil të rishqyrtohet, procedurën duhet ta nisë Zyra për Emigracion dhe Azil në Hungari. Autoritetet e Maqedonisë në këtë rast, nuk mund të bëjnë asgjë.

“Domethënë ka procedurë. Ai, nëse nuk gënjehem, ka azil prej tre vjetëve dhe për këtë vendoset në vetë vendin në të cilin ka marrë azil. Nuk ka të bëjë me Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Oliver Ristovski, zëvendësministër i Drejtësisë.

Zyra hungareze për Emigracion dhe Azil, vendimin për azilin e Gruevskit e ka lëshuar më 20 nëntor të vitit 2018, kurse pastaj i njëjti ishte vazhduar më 5 prill të 2019-tës. Pikërisht për këtë moment administrativ, gjykata nuk mund të reagojë, ka deklaruar gjykatësja, përcjellin mediat e atjeshme.

Duke gjykuar sipas sjelljes së autoriteteve hungareze, vështirë se mund të pritet ekstradim. Madje edhe ministri i jashtëm, Peter Sijarto, deklaroi se ka realizuar takime me Gruevskin në lokacione të fshehta në Budapest. Ndryshe, dje Gruevski nuk deshi t’iu përgjigjet pyetjeve – kush i ndihmon në Hungari dhe nëse ka lidhje biznesi me oligarkët hungarezë?

G: Si e paguani qëndrimin në Hungari? A keni ndonjë punë? A keni ndonjë kursim?

G: A keni lidhje biznesi me oligarkët hungarezë? A keni biznes të përbashkët në Maqedoni dhe Hungari? A e njihni Arpad Habonjin?

Por, kush në fakt është Arpad Habonji? Ai është këshilltari joformal i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, sipërmarrës hungarez, kurse sipas shkrimeve të mediave të atjeshme, Habonji është personi i katër më i fuqishëm në atë vend. Ai është arkitekti i lajmeve të rrejshme gjatë krizës së emigrantëve, kurse mediat hungareze e quajnë “spin doktor”. Nëse edhe gjykimi i djeshëm në të cilin mori pjesë Gruevski është vetëm spin apo teatër, do të tregojë koha. Mes të tjerësh, mbetet të mësohet se në çfarë mënyre ka ikur Gruevski nga Maqedonia dhe kush i ka ndihmuar, pasi autoritetet e vendit nuk kanë përgjigje, edhe pas tetë muajve nga arratisja e tij.

Përgatiti: Edin Rastoder